Përshkrimi
Një imazh i pangjyrë i Tiranës së viteve ‘80, një adoleshente që rend rrugëve të heshtura me dëshirën për të zbuluar botën e ndaluar nëpërmjet ekranit të vogël, dhe ai veshur me zbehtësinë bardhë e zi të kohës. Ngjyrimet e imagjinatës do ta ndihmojnë Artën adoleshente të ëndërrojë përgjatë errësirës së turbullt të një periudhe të vështirë. Vitet ndërkohë kalojnë, koha ndërron imazhin e saj. Arta, si pa kuptuar ndjen se është rritur. Jeta pashmangërisht do të hyjë në labirinte aventurash që ajo kurrë s’do t’i kish imagjinuar më parë.
Si do të jetë raporti i vajzës me ngjyrat e jetës më tej?
A do t’i qëndrojnë ato pritshmërive të saj, a do të kenë të njëjtin ndriçim fantazie apo do të kthehen papritmas në zhgënjime e iluzione të thyera?
Si do të jetë në përballje me ëndrrat e adoleshentes së dikurshme, raporti i së nesërmes?
Në qendër të gjithë kësaj vorbulle të rrëmujshme ndryshimi është Arta dhe bota e saj.
…Shkronjat si rruaza dukej se i qeshnin nga fletorja e verdhë që ajo kishte quajtur fletorja me shije nostalgjie. Mbylli sytë dhe ndjeu se po e merrte një gjumë i qetë. Nuk e dinte se ndërsa qerpikët puthiteshin, edhe buzët qenë ngjitur e i kishin marrë një formë të ëmbël buzëqeshjeje, nuk ishte as italiane, as shqiptare, ishte vetëm buzëqeshja e saj…
Vlerësimet
Ende nuk ka Vlerësime