Përshkrimi
Ne e dimë që ju, fëmijët, na doni shumë! Prandaj, ne, kafshët, u mblodhëm së bashku dhe vendosëm t’ju zbulojmë disa nga sekretet e jetës sonë. A jeni gati për një udhëtim magjik në
botën tonë? Ne jetojmë kudo, në çdo qoshe të planetit. Jemi aq të shumta dhe aq të larmishme, sa ju nuk e imagjinoni dot! Ne ndryshojmë në madhësi, në forma, në ngjyra, në mënyrën se si mbrohemi dhe se si sigurojmë ushqimin. Disa prej nesh janë aq të shkathëta, sa mund të vrapojnë disa kilometra në orë, të tjerave u duhen shumë ditë zvarritje për të shkuar nga një
vend në tjetrin dhe të tjera notojnë thellë në detin blu.
Shumë prej nesh janë të njohura prej jush, por shumica jonë banon larg, shumë larg vendbanimeve tuaja. Mund të keni parë disa prej nesh në kopshtin zoologjik, disa të tjera vetëm në libra me figura dhe disa ende… mbeten një mister! Bota jonë është e mrekullueshme dhe plot aventura! Disa prej nesh ecin, të tjera zvarriten, disa fluturojnë lart në qiell e të tjera notojnë në ujërat më të thella. Disa kanë sy aq të mprehtë, sa dallojnë edhe gjërat më të vogla në errësirë, të tjera nuhasin si detektive të vërteta! Disa prej nesh nuk pinë ujë për muaj të tërë, ndërsa të tjera jetojnë në akull pa u dridhur fare.
Disave u bie në gjumë vetëm gjysma e trurit, ka prej nesh që prodhojnë helme që të rrezikojnë jetën, ka kafshë që jetojnë pak dhe disa të tjera janë aq të vogla, sa mund të fshihen në
pëllëmbën e dorës suaj. Po ju, a e dini se ka prej nesh që janë të pavdekshme?
Bota jonë është e bukur, por e ashpër! Disa prej nesh hanë vetëm bar, disa të tjera mish. Ne jemi herë gjuetarë e herë pre e gjuetarëve më të fuqishëm. Në botën tonë, për të
mbijetuar, duhet të jesh i shpejtë, i mençur dhe ndonjëherë i fshehtë! Por, mos harroni, ne të gjitha kemi nevojë për njëra- tjetrën. Edhe ju, njerëzit, nuk do të mund të jetonit dot pa ne! Të gjitha ne, qeniet e gjalla, përbëjmë një zinxhir bashkëveprimi ku çdo hallkë varet nga tjetra. Çdo krijesë në Tokë, e madhe apo e vogël, ka vendin e saj në këtë botë të madhe e magjike!
Bota jonë është një thesar plot surpriza dhe ne mezi presim t’jua rrëfejmë. Në këtë libër ndajmë me ju 300 fakte magjepsëse, të cilat do t’ju lënë pa fjalë! Ndërsa lexoni, do
të befasoheni me të gjitha fenomenet e çuditshme që ndodhin çdo ditë në natyrë. A jeni gati për të zbuluar të fshehtat tona? Lexim të mbarë dhe mos harroni: na doni që t’ju duam!
Vlerësimet
Ende nuk ka Vlerësime