Përshkrimi
…më në fund e titullova “Ku frymojnë ëndrrat fëminore: 58 poetë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj” këtë antologji poetike, për të cilën kam punuar disa vite radhazi. Teksa lexoja dhe rilexoja jetën dhe krijimtarinë letrare të autorëve-poetë, më shoqëronte një dritë e bukur si një agim ngadhënjyes, që vinte nga epoka e Rilindjes, e Pavarësisë e më tej… Në vazhdën e rrugës së shenjtë të Patriarkëve tanë që zemrën dhe talentin e tyre ua falën fëmijëve, pra, së ardhmes; e ndërmora këtë sfidë për të siguruar vazhdimësinë e një rrugëtimi poetik prej më se tetë dekadash duke ndjekur gjurmët e poetëve shqiptarë, që e vazhduan këtë përkushtim-amanet me devocion në shërbim të jetësimit të poezisë shqipe për fëmijë e të rinj. Nuk ishte e lehtë, ishte e vështirë, por jo e pamundur. Antologjia poetike përfshin 58 krijues shqiptarë të cilët, me krijimtarinë e tyre, sipas këndvështrimit tim, kanë lënë gjurmë në fushën e poezisë shqipe për fëmijë e të rinj. Gjeografia e kësaj antologjie përfshin autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Gjermania, SHBA-ja etj. Kjo antologji, krahas karakterit njohës, shpërfaq kontributet e çmuara të krijuesve shqiptarë, ku shumë prej tyre iu kushtuan posaçërisht poezisë shqipe për fëmijë e të rinj. Nuk mund të mohohet kurrsesi vlera e poetëve që erdhën nga poezia për të rritur dhe plotësuan e dritësuan më tej portretin e letërsisë shqipe dhe të kësaj antologjie. I kërkova këto vlera për t’i bërë të njohura gjatë udhëtimit të poezisë shqipe për fëmijë e të rinj në vite e dekada. Ndaj dhe zunë vend në faqet e kësaj antologjie.
Vlerësimet
Ende nuk ka Vlerësime