Description
Një fëmijë që humb prindin, thirret jetim; një grua që humb të shoqin, quhet e ve; një burrë që humb partneren, është vejan. Por a ka emër për prindin që
humb fëmijën? A mundet bota ta quajë materie prindin që mbetet jetim i fëmijës së vet? Diçka zhvendoset në kurdisjen logjike të jetës kur ndodh kjo, diçka e
papërshkrueshme gatuhet në zonat më të errëta të fatit.
Në këtë rrëfim personal të sajin, autorja është përpjekur ta gjejë këtë fjalë fatale: “E pabir”. Kështu thotë ajo se ka mbetur prej majit të vitit 2018, kur humbi nga një sëmundje e rrallë, djalin e saj të vetëm
tetëmbëdhjetëvjeçar. Kush e lexon këtë libër, edhe pa e njohur autoren, ndalet shpesh të përfytyrojë nënën tek ajo. Duke e lexuar këtë libër, as mund të rrish pa u prekur, as mund ta lësh pa e mbaruar. Por as nuk e shmang dot shqyrtimin e dashurisë sate.
Autorja merret me përjetimin e zisë, si një proces i gjatë i jetës pas humbjes, me identitetin njerëzor mes dy kulturave dhe hyn në thellësitë metafizike të dhimbjes, pa u kthyer në një përqarëse për lexuesin. Ky rrëfim tronditës, më i vështiri i jetës së autores, si qenie dhe si shkrimtare, është njëherësh një thirrje për jetën dhe dashurinë njerëzore.
“Biri” është një nga librat më të lexuar në letërsinë shqipe dhe i mirëpritur nga lexuesit dhe kritika shqiptare.
Reviews
There are no reviews yet.