Përshkrimi
Ditën e ditëlindjes sime, më 1 janar të vitit 2022, me një kamerë “Nikon” në dorë, dola për herë të parë nëpër rrugët e zbrazura të Tiranës për të bërë fotografi. Shkrepjet e para ishin të gjitha të mjegullta, të pafokusuara dhe të mbushura me detaje të panevojshme. Atë ditë mësova të shkrepja pa e ditur se fotografia dhe shkrepja janë dy gjëra të ndryshme. Shkrepjen e bën gishti, fotografinë e
bën mendja. Syri i bashkon të dyja këto lëvizje në kohë dhe në hapësirë. Duke mos e ditur këtë sekret, në fillim, njerëzit që shfaqeshin në fotografitë e mia ishin të ulur nëpër stola ose duke qëndruar më këmbë pa lëvizur, sepse lëvizja e njerëzve është armiku kryesor i fotografëve të rinj dhe të pasigurt, siç ishte rasti im. Megjithatë, jeta e atyre njerëzve që nga aparati fotografik hynin me radhë në kompjuterin tim, ishte diçka e mrekullueshme. Unë isha bërë papritur me qindra miq të rinj. Nga fytyrat e tyre mund të kuptoja gëzimin, trishtimin, lodhjen dhe padurimin e jetës. Ata njerëz, të cilët nuk i njihja, ishin bërë pjesë e arkivit të kujtimeve të mia. Nga ata mësova se ndryshe nga shkrimtari, i cili i ngjan një peshkatari që nuk lëviz, fotografi i ngjan një gjuetari.
Vlerësimet
Ende nuk ka Vlerësime