Përshkrimi
Ky është libri i tretë i kolanës “20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë”, një histori arti për fëmijë dhe të rinj. Pasi jeni njohur me 40 mjeshtrit në librat e parë dhe të dytë, në këtë botim ju do të njiheni me 20 mjeshtër të tjerë, të pikturës, skulpturës dhe grafikës shqiptare. Ju, ndoshta nuk keni dëgjuar më parë për ta. Ky libër do t’u nxisë kureshtjen për të njohur 20 artistë të tjerë të rëndësishëm, që jetuan në shekullin XX.
Libri i tretë prezanton, në 20 artikuj, jetën dhe krijimtarinë e njëzet mjeshtërve. Ai do t’ju njohë me imazhin e portretit të artistit, kohën e jetës së tij, datën dhe vendin e lindjes dhe të origjinës, sfondin historik dhe shoqëror, edukimin, arsimimin dhe formimin e tyre kulturor e artistik. Dhjetëra prej tyre u shkolluan në akademitë e njohura të artit në Europë dhe në Rusi, ndërsa disa të tjerë u formuan në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, Shqipëri.
Krijimtaria e këtyre mjeshtërve është e shumtë dhe për këtë libër është zgjedhur me kujdes një vepër e secilit prej tyre. Veprat e botuara e përfaqësojnë denjësisht çdo artist dhe për secilën vepër shpjegohet subjekti, tema, personazhet, koha e krijimit, flitet për ngjyrat dhe volumet, për parimet dhe elementet e artit pamor. Për secilin artist përshkruhen aftësitë e tij krijuese, talenti, fantazia dhe imagjinata, të cilat kanë krijuar stilin vetjak figurativ.
Libri i tretë është vazhdim i dy librave të parë dhe qëllimi i tyre i përbashkët është domosdoshmëria e njohjes nga fëmijët dhe të rinjtë, i jetës dhe i veprave të artistëve që kanë kontribuar për formimin e historisë së artit dhe zhvillimin e artit shqiptar në shekullin XX. Libri do të jetë pjesë e trashëgimisë kombëtare shqiptare dhe do të ndihmojë në edukimin artistik dhe kulturor të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë, kudo që jetojnë. Libri këshillohet të lexohet me prindërit, për të shtuar qasjet e njohjes dhe t kuptueshmërisë.
Gjuha e përdorur në përshkrimet e jetës dhe rreth veprave të artit është e thjeshtë dhe e kuptueshme. Libri është i pasur dhe me kuriozitete nga jeta e këtyre mjeshtërve të hershëm shqiptarë.
Suzana Varvarica Kuka
Vlerësimet
Ende nuk ka Vlerësime