Si të trajtoni lodhjen e mësuesit?

Si të trajtoni lodhjen e mësuesit?

Nëse ndiheni të lodhur nga ngarkesat e larta të punës, klasat e mëdha, nxënësit sfidues ose presionet administrative, dijeni që nuk jeni vetëm pasi shumë nga kolegët tuaj, po ndihen në të njëjtën mënyrë. Kjo nuk është një shenjë dobësie apo dështimi, është thjesht një gjë e natyrshme që lidhet me profesionit tuaj. Duke ndërmarrë hapa për të trajtuar lodhjen e mësuesve, ju mund të ruani mirëqenien tuaj dhe të vazhdoni të keni sukses në rolin tuaj si mësues.

Lodhja e mësuesve godet mësuesit punëtorë. Sa më shumë të bëni, aq më të lodhur do të ndiheni. Jepini vetes leje për të ngadalësuar. Kjo nuk do të thotë që ju nuk mund të jeni një mësues punëtor dhe duhet të largoheni nga të gjitha përgjegjësitë tuaja, por thjesht do të thotë që ju duhet të mësoni se si t’i jepni përparësi detyrave tuaja dhe të merrni pak kohë për veten dhe nevojat tuaja.

Krijo kufij

Për të qenë më i miri për veten dhe studentët tuaj, duhet të krijoni kufij. Vendosni kufij të qartë midis punës dhe kohës personale për të shmangur ndjenjën e lodhjes. Kjo mund të përfshijë kufizimin e punës pas orarit, shmangien e emaileve dhe telefonatave të lidhura me punën gjatë kohës personale, ose delegimin e detyrave te kolegët e tjerë. Kur vendosni kufij, ju po mbroni paqen tuaj dhe po gjeni ekuilibrin që ju nevojitet, për t’u ndjerë të lumtur brenda vetes dhe në punën tuaj.

Merrni më pak vendime

Thuhet se mësuesit marrin deri në 1500 vendime në ditë. Nëse do ta llogarisnit atë saktë, atëherë bëhet fjalë për një vendim çdo katër minuta ose më shumë. Nuk është çudi që jeni kaq të rraskapitur. Pra, si do të merrni më pak vendime? Gjëja e parë që do të bëni, është t’ua kaloni ato vendime nxënësve tuaj. Hiqni dorë nga kontrolli dhe lejoni nxënësit tuaj t’i marrin përsipër. Nëse duhet të vendosni se çfarë detyra shtëpie të jepni, lërini nxënësit t’ju ndihmojnë për të vendosur. Nëse duhet të vendosni se në cilat grupe do t’i vendosni nxënësit, lërini studentët të vendosin. Një qasje më e përqendruar te nxënësit në mësimdhënien tuaj, do të thotë më pak vendime që duhet të merrni dhe më pak vendime do të thotë më shumë energji për ju.

Përdorni sa më shumë teknologjinë

Provoni të përdorni teknologjinë për të thjeshtuar detyrat. Teknologjia mund të ndihmojë në thjeshtimin e detyrave administrative, si vlerësimi ose marrja e pjesëmarrjes. Mund t’u krijojë gjithashtu më shumë kohë dhe energji, që të përqendroheni në aspekte më domethënëse të mësimdhënies, si lidhja me përvojat e kaluara të nxënësve dhe sjellja e botës reale në klasën tuaj.

Jepini përparësi vetëkujdesit

Sigurohuni që t’i jepni përparësi shëndetit tuaj fizik dhe emocional. Mund të filloni duke fjetur mjaftueshëm. Rekomandimi standard është shtatë deri në tetë orë në natë. Hani ushqime të shëndetshme, një dietë e ekuilibruar me shumë fruta, perime dhe drithëra mund të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien tuaj të përgjithshme. Përpiquni të planifikoni dhe përgatitni ushqime të shëndetshme paraprakisht, për t’u siguruar që keni mundësi të mjaftueshme ushqyese gjatë ditëve të ngarkuara. Së fundmi, angazhohuni në aktivitete fizike ose teknika relaksimi. Ushtrimi i rregullt është një mënyrë efektive, për të reduktuar stresin dhe për të përmirësuar shëndetin fizik dhe mendor, ndërsa teknikat e relaksimit si frymëmarrja e thellë, meditimi dhe joga mund të ndihmojnë në uljen e stresit të përgjithshëm.

Dëgjoni trupin tuaj

Lodhja e mësuesit mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore, të tilla si rraskapitja dhe rënia e imunitetit. Merrni kohë për të pushuar, kur jeni të lodhur. Shkoni në shtrat më herët dhe përpiquni të flini në fundjavë. Nëse ndiheni sikur jeni gjithmonë nervoz dhe të lodhur, atëherë ndoshta është koha për të bërë një kontroll te mjeku.