Loer Kume; lidhja e pandashme e një stomatologu me artin e të shkruarit!

Loer Kume; lidhja e pandashme e një stomatologu me artin e të shkruarit!

Loer Kume sapo ka botuar librin më të ri “Dhe pastaj ajo u bë pemë” dhe në një bisedë tejet interesante me Shtëpinë botuese “Mediaprint” flet e zbulon jo vetëm se si erdhi kjo vepër e re, për të cilën ka punuar 4 vjet, por kthehet pas në kohë dhe kujton se si lindi pasioni për librin kur ende nuk dinte të lexonte, se kur nisi të shkruajë rreth moshës 6-vjeçare dhe se pse zgjodhi si profesion stomatologjinë, kur ka një dashuri të madhe për letërsinë..

Kur ka nisur pasioni për librin, e kujtoni? Po dëshira për të shkruar?
Pasioni për librin ka lindur si pasion për të panjohurën. Për aventurën. Kuriozitet për botën e madhe. Kjo që fëmijë shumë i vogël, kur nuk dija ende të lexoja. Kjo uri për aventurë ushqehej me përrallat e gjyshes, pasi gjyshi e gjyshja më lexonin libra. Kur mësova të lexoj vetë, lexoja libra pafund. E menjëherë nisa të shkruaj historitë e mia. Kam shkruar që 6 a 7 vjeç.
Jeni mjek stomatolog, pse kjo zgjedhje? Dhe jo diçka që ka lidhje me artin e të shkruarit?
Letërsia si çdo art tjetër ka nevojë për aventurë, rrezik, spontanitet, të ecur në fije të perit, por gjithashtu ka nevojë dhe për stabilitet, mirëqenie, tokëzim.
Vepra të mëdha shkruhen nën presion të jetës, por nëse do të vazhdosh të bësh shkrimtarin dhe artistin, ke nevojë për qëndrueshmëri ekonomike, që përveçse librat e tu të bëhen filma hollivudianë, letërsia është shumë e vështirë të ta japë. Sidomos letërsia në Shqipëri, ku njëkohësisht, të adhurojnë për letërsinë, dhe të shohin si kafshë e rrallë në kopshtin tonë zoologjik si shkrimtar. Veç kësaj do të kem patur ndonjë fetish të çuditshëm për dentistrinë, sepse shkolla ime fillore ishte pranë klinikës shtetërore dhe unë pushimin e madh e kaloja, duke u endur vjedhurazi korridoreve të klinikës dentare. Edhe tjetra, unë si artist kam nevojë për një lloj kontakti me realitetin, me jetën e përditshme, që dentistria ma jep më së miri. Fundja jeta është e bukur dhe kemi vetëm një në dispozicion.
“Dhe pastaj ajo u bë pemë” është vepra juaj më e re, botim i Shtëpisë botuese “Mediaprint”, çfarë mund të na thoni për të?
Për librin “Dhe pastaj ajo u bë pemë” kam punuar 4 vjet, dhe ma ka shpërblyer lexuesi që në katër javët e para. Unë personalisht jam shumë krenar për letërsinë time, lexoj pafund, shumë letërsi të çdo kombësie, kur mundem në gjuhë origjinale, dhe e them me bindje që letërsia ime, dhe “Dhe pastaj ajo u bë pemë”, është një vepër që qëndron shumë fort në krah të çdo vepre bashkëkohore të letërsisë europiane dhe botërore. Dua të shtoj diçka të rëndësishme. Është fatkeqësi që shteti shqiptar ende nuk është zhvilluar, aq sa të investojë në eksportin e artistëve shqiptarë në botë, sidomos letërsia ka nevojë për vëmendje të veçantë, sepse nuk është si artet e tjera. Gjuha shqipe është një mrekulli në terma historikë, kombëtarë, dhe për ne si shqiptarë që na ka dhuruar ekzistencën, ama është një mekanizëm shumë kufizues për letërsinë. Dhe të zgjerosh ndikimin letrar duhen përkthime, e përkthimet e trajtimet deri sa të arrish në një agjenci letrare, realizohen veç në sajë të politikave shtetërore, të cilat te ne janë ende qesharake.
Ku e keni gjetur frymëzimin për krijimin e këtij libri? Po personazhi i Martës, ka ndonjë lidhje me jetën reale?
Libri ka lindur si i ndërthurur me një zbulim timin, Esencializmin, një doktrinë timen personale që mbase ndonjë ditë do të gjej kurajën të ulem dhe ta strukturoj.
Gjithashtu, libri është ushqyer nga gjithçka që ka mundur të hyjë e të kullojë në kokën time, trurin tim, sytë e mi e memorien time, të gjithë viteve që kam qenë zgjuar. Gjithkush mund të gjejë të vërteta të tijat, në ndonjë cep të romanit. Marta sigurisht që ka lidhje me jetën reale.
Çfarë e veçon këtë libër dhe pse lexuesit duhet ta zgjedhin ta kenë në bibliotekën e tyre?
“Dhe pastaj ajo u bë pemë” është një libër i madh. Besoj se nuk do t’i zërë vend e pluhur nëpër biblioteka, por do të qarkullojë gjerë e gjatë nëpër lexues.
Me çfarë jeni duke u marrë aktualisht? Si është një ditë e zakonshme e Loer Kumes?
Pas çdo libri të përfunduar marr një periudhë të gjatë pushimi, para se të kaloj te libri tjetër. Unë nuk kam ndonjë kënaqësi të veçantë, të ulem e të shkruaj. Këtë gjë e bëj, kur kam uri të komunikoj me lexuesin. Tani po udhëtoj shumë, po shijoj çdo sekondë kudo që më çon udha, dhe po merrem me veten, me palestër e ushtrime. Po lexoj shumë. Në kokë po përpunoj rikthimin te një tjetër roman, që kam lenë përgjysmë. Dhe, sigurisht marr një kënaqësi tjetër unike, bëj njerëzit e bukur në “Klinikën Kume”.
Pak vite më parë, jeni vlerësuar me çmimin ‘Kadare’ në një listë me 54 konkurrentë, si e kujtoni këtë moment?
Ka qenë një moment vërtet emocionues, kur më morën në telefon dhe më lajmëruan që jam fituesi i edicionit 2019 të këtij çmimi. Ishte si një moment kyç për mua, letërsinë time, çmimin vetë. Ishte sikur gjërat ishin prerë në një cresciendo. Dhe “Amygdala Mandala” ishte guri i diamantit në majë. Edhe “LUX” dhe “Histori e shkurtër e rrëmujës”, dy librat e tjerë të botuar deri atë moment, patën shumë vëmendje nga lexuesit. Instituti “Pashko” dhe Henri Çili janë për t’u falënderuar dhe për t’u marrë shembull. Një formë mecenatizmi për letërsinë. Letërsia gjithmonë ka nevojë për ‘spotlight’, për vlerësime e mbështetje. Është një gjë që në Shqipëri nuk bëhet kurrsesi. Letërsia nuk është në modë.

Keni një mesazh për të gjithë lexuesit?
Si Marta, edhe ju, nxirrni gërshërët tuaja, dhe prisni gjithçka të tepërt në jetë. Çlirohuni. Dhe… Bëni qejf. Lexoni, dëgjoni muzikë, shihni filma, vizitoni muze. Me këto, do të mësoni të bëni qejf më shumë e më bukur.