Misioni i vyer i Marie Benedict në veprat e saj!

Misioni i vyer i Marie Benedict në veprat e saj!


Autorja Marie Benedict, emri i vërtetë i së cilës është Heather Benedict Terrell, hoqi dorë nga profesioni i saj si juriste pas botimit të romanit të saj të parë, për t’ju dedikuar plotësisht të shkruarit.

E nëse autorët në përgjithësi dëshirojnë shumë të shkruajnë një libër të bukur e më pas të kenë sukses me të, Marie Benedict përveç kësaj, ka edhe një mision: të tregojë historitë e grave që kanë dhënë kontribute të mëdha në botë, por që kurrë nuk morën meritën që u takonte.

Duke gërmuar të kaluarën e grave më të rëndësishme të historisë, që shpesh kanë qëndruar nën hijen e burrave të pushtetshëm, Marie Benedict i sjell ato në ditët e sotme, duke bërë të mundur që kontributet e tyre të njihen nga të gjithë.

Benedict shprehet se ka shumë gra të jashtëzakonshme, por që jeta e tyre të jetë subjekt dhe frymëzim për t’u shkruar, duhet të jenë gra që kanë lënë pas një vepër të çmuar.

“Unë jam padyshim e interesuar për gratë që lanë diçka për të ardhmen, diçka që ne mund ta përdorim çdo ditë ose të përfitojmë nga ajo, por nuk e dimë se kujt i përket kjo meritë”, thekson ajo.

Një nga librat më të suksesshëm të saj, është padyshim “E vetmja grua në dhomë”, botuar nga Shtëpia botuese “Mediaprint”, një libër dedikuar yllit të kinemasë amerikane Hejdi Lamar, falë së cilës ne sot kemi Wi-Fi.

Duhet theksuar se libri i përkthyer në gjuhën shqipe nga Maniela Sota, është pëlqyer shumë dhe ka patur rekord shitjesh në vendin tonë.

Romanet e Marie Benedict, të cilët kanë rrëmbyer zemrat e lexuesve në mbarë botën, janë përkthyer në njëzet e nëntë gjuhë.