Intervistë/ Këshilla të vyera për të gjithë maturantët nga Prof. Dr. Ethem Ruka!

Intervistë/ Këshilla të vyera për të gjithë maturantët nga Prof. Dr. Ethem Ruka!

Prof. Dr. Ethem Ruka është padyshim një nga kontribuesit më të mëdhenj në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe atij botues. Profesor Ethem Ruka me një përvojë gati 35-vjeçare në hartimin e teksteve të biologjisë, në bashkëpunim me mësuesen e talentuar të biologjisë Neviana Muça, së fundmi kanë hartuar një teksti të ri “Biologjia për maturën shtetërore”. Një libër ky tejet i nevojshëm për të gjithë maturantët që kanë zgjedhur për provimet me zgjedhje lëndën e biologjisë. Profesor Ethem Ruka në një bisedë me “Mediaprint” ka treguar, për të gjithë ata që ende nuk e dinë, se çfarë përmban ky libër, si dhe ka dhënë këshilla për të gjithë maturantët, duke përfshirë edhe gabimet më të shpeshta apo se çfarë duhet të kenë parasysh gjatë dhënies së provimit.

“Biologjia për maturën shtetërore”, është një botim i ri. Për të gjithë ata që nuk e dinë, çfarë përmban ky libër?

Ky botim është hartuar në përputhje me orientimin e Ministrisë së Arsimit për provimin e maturës shtetërore në biologji, mbështetur në njohuritë e nxëna në klasat 10-11, si dhe në lëndën e biologjisë me zgjedhje të klasës së 12-të. Ai përfshin katër shtylla kryesore si “Diversiteti i botës së gjallë”, “Ciklet”, “Sistemet” dhe Ndërveprimet”. Secila prej këtyre tematikave ka peshën e vet, në përputhje me orët totale të kurrikulës së biologjisë të zhvilluara në klasat 10-11 dhe 12 (me zgjedhje). Pjesa e parë, “Diversiteti”, përfshin shtatë kapituj, pjesa e dytë, “Ciklet” tre kapituj, pjesa e tretë “Sistemet” tetë kapituj dhe pjesa e katërt “Ndërveprimet” dy kapituj. Autorët e këtij botimi janë një kombinim i një profesori universitar si Ethem Ruka, që ka një përvojë gati 35-vjeçare në hartimin e teksteve të biologjisë për arsimin parauniversitar, me një mësuese të talentuar biologjie, që gjithashtu ka një përvojë po kaq të gjatë në mësimdhënien e biologjisë në shkollën e mesme të përgjithshme.

Pse duhet ta kenë këtë libër maturantët që kanë zgjedhur lëndën e biologjisë në provimet me zgjedhje?

Çdo maturant në përmbyllje të studimeve në shkollën së mesme, synon të sigurojë një mesatare sa më të lartë, gjë që përbën një ndër kriteret kryesore të pranimit në shkollat e larta. Kjo nevojë është edhe më e theksuar, nëse dikush synon të studiojë në fushën e biologjisë molekulare, bioteknologjisë, shkencave të mjedisit, mjekësisë së përgjithshme, farmacisë, stomatologjisë, infermierisë, shkencave bujqësore etj.. Testet e ofruara në këtë botim janë një garanci e sigurt për të përmbushur këto synime.

Çfarë e veçon botimin “Biologjia për maturën shtetërore”, në krahasim me librat e tjerë që ofron tregu?

Ky botim është përgatitur në përputhje të plotë me orientimet e Ministrisë së Arsimit dhe përmbush të gjitha kriteret e vendosura prej saj. Autorët kanë bërë gjithë kujdesin e duhur që përmes testeve dhe pyetjeve zhvilluese të rrokin gjithë gamën e kulturës biologjike. Tregu i botimeve është i hapur dhe padyshim edhe konkurrues. Shtëpia Botuese “Mediaprint” është në treg prej më shumë se dy dekada dhe botimet e saj kanë qenë dhe mbeten të parapëlqyera nga shumica e shkollave të arsimit parauniversitar. Nuk ka asnjë arsye, që edhe botimi i fundit “Biologjia për maturën shtetërore” të mos jetë i tillë. Ai ka ndryshime thelbësore në raport me botimin e parë, duke u riorganizuar tërësisht dhe duke u pasuruar me shumë elementë të rinj.

Ku duhet të përqendrohen maturantët, në mënyrë që të jenë të sigurt në provim?

Autorët, duke patur një përvojë të gjatë jo thjesht në mësimdhënie por edhe në kontrollin e njohurive në provime, konkurse për olimpiada kombëtare, por edhe përzgjedhjen e maturantëve në shkencat mjekësore, sugjerojnë një punë sistematike në kontrollin e njohurive të nxëna dhe vetëkontrollin, sipas modeleve të sjella në këtë botim. Testet janë hartuar jo për një kontroll mekanik të dijeve, por qartazi për të kontrolluar arsyetimin logjik të dukurive biologjike. Për çdo test janë dhënë edhe përgjigjet e zgjidhjeve, të cilat duhet të konsultohen vetëm pasi i interesuari të provojë vetveten.

Sipas jush, cilat janë gabimet që bëjnë më së shumti maturantët gjatë dhënies së provimit dhe çfarë këshillash do t’u jepte profesor Ethem Ruka?

Provomi është provim dhe ka emocionet e veta. Për të dhënë përgjigje të sakta, duhet përqendrim, jo ngutje dhe siguri para së të futesh në provim. Gabimi më i madh, që mund të bëjë një maturant, është të futet në provim thjesht për të marrë provimin, pa kontrolluar veten paraprakisht. Nëse gjatë përgatitjes vë përpara tekstin “Biologjia për maturën shtetërore”, kontrollon vetveten dhe për gjëra të paqarta konsulton edhe tekstet mësimore të biologjisë, suksesi për një rezultat maksimal është i garantuar. Ne si autorë, përmes botimit “Biologjia për maturën shtetërore” kemi marrë përsipër ta bëjmë më të lehtë rrugëtimin e maturantëve drejt shkollave të larta brenda dhe jashtë vendit.