180-vjetori i lindjes së Ismail Qemalit; Dy takime dedikuar figurës së tij të ndritur!

180-vjetori i lindjes së Ismail Qemalit; Dy takime dedikuar figurës së tij të ndritur!

Autori i “Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit”, Evarist Beqiri, këtë të mërkurë do të zhvillojë dy takime për të promovuar librin e tij dedikuar figurës së ndritur të Ismail Qemalit. Këto takime kanë për qëllim të njohim më tepër figurën të Ismail Qemalit, me rastin e 180-vjetorit të lindjes së tij, e cila daton më 24 janar 1844, dhe me rastin e vdekjes, më 26 janar 1919.

Takimi i parë do të mbahet në orën 12:00 në Universitetin Luarasi, ndërsa takimi i dytë do të mbahet në orën 18:00 në librarinë “Adrion”.

“Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit” është një libër i cili thellohet në jetën dhe veprën e Ismail Qemalit si lider, teksa autori e krahason këtë figurë historike edhe me liderë të tjerë në Shqipëri e botë. Ismail Qemali përgjatë gjithë jetës u shqua si një lider i shkëlqyer, si një njeri i drejtë dhe i ndershëm, i duruar, këmbëngulës e i qëndrueshëm. Ai kërkonte që t’i bindte dhe motivonte të tjerët dhe jo t’i detyronte ata drejt realizimit të synimeve të përbashkëta. Ai veproi në kohën e duhur dhe me stilin e tij të lidershipit arriti të themelonte shtetin shqiptar.

Si shtetar i Perandorisë Osmane, Ismail Qemal mbajti disa funksione të larta, si guvernator, anëtar i këshillit të shtetit, deputet, kryetar i parlamentit dhe kryetar i opozitës parlamentare.

Një ndër motivet që shtyu studiuesin Evarist Beqiri të shkruante këtë libër, ka qenë puna e tij si pedagog i lidershipit në universitet, ku ka vënë re se, fatkeqësisht, të rinjtë e njohin shumë pak veprën dhe figurën e Ismail Qemalit, dhe aq më pak modelin e tij të lidershipit.

Autori e lartëson figurën e Ismail Qemalit, si një nga figurat historike më frymëzuese të kombit tonë, “Është lideri më i madh që kombi shqiptar ka njohur deri tani. Ne i detyrohemi atij më shumë se kujtdo tjetër në historinë tonë kombëtare. Nuk ekziston asnjëfarëlloj krahasimi midis tij dhe liderëve shqiptarë që e pasuan”.

Gjatë jetës së tij, Ismail Qemali qetësinë dhe lumturinë e duhur ia dha martesa me Kleoniqi Surmelin. Ata patën 10 fëmijë, gjashtë djem dhe katër vajza.

“Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit”, një libër që duhet ta ketë çdo shqiptar në bibliotekën e tij!