Të njohim përkthyesit tanë: Lorena Dedja!
Prof. Ass. Dr. Lorena Dedja ka lindur më 21 nëntor 1968 në Tiranë. Ka përfunduar studimet e larta për gjuhë frënge pranë Universitetit të Tiranës në 1991 dhe që prej asaj kohe punon si pedagoge në departamentin e frëngjishtes të këtij universiteti.
Në vitin 1999 ka mbrojtur një Diplomë Studimesh të thelluara në “Letërsi dhe qytetërim francez” në Universitetin Paris III, Sorbonne Nouvelle – Paris. Më 2003 ka fituar gradën “Doktor i shkencave” dhe që prej vitit 2012 mban titullin “Profesor i asociuar”.
Ka marrë pjesë në projekte ndërkombëtare të mbështetura nga Agjencia Universitare e Frankofonisë (AUF). Krahas mësimdhënies është e angazhuar gjerësisht në punën kërkimore, duke botuar artikuj dhe duke mbajtur kumtesa, brenda dhe jashtë vendit, në fushën e letërsisë, didaktikës, komunikimit ndërkulturor.
Ka mbajtur detyra të rëndësishme, si, përkthyese konference e akredituar e BE-së, përkthyese zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë, përkthyese/interprete pranë institucioneve dhe personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të BE-së.
Ndër të tjerë libra, ka përkthyer romanin “Fshati me 13 sekrete”, botim i Shtëpisë botuese “Mediaprint”.