“Pse po i ikim librave?”; Të rinjtë gjithnjë e më pak të interesuar për leximin! Arsyet?

“Pse po i ikim librave?”; Të rinjtë gjithnjë e më pak të interesuar për leximin! Arsyet?

Autor: Ermal Spahiu
Të rinjtë po i japin shumë pak hapësirë leximit. Në sondazhin e posaçëm, në kuadër të këtij shkrimi, ky fakt u përforcua edhe më shumë me realitetin me të cilin përballemi sot. Sondazhi tregoi për një rënie të ndjeshme, lidhur me interesimin ndaj librit, që pranohet nga 78.3% e të anketuarve. Në masë të madhe, ata pohuan se teknologjia dhe dhënia e përparësive të tjera kanë bërë që të mos krijohet vend për librat.
Një tjetër argumenton se punët me orët e zgjatura, bëjnë që prindërit mos t’i shoqërojnë ata nëpwr biblioteka dhe të jenë frekuentues të rregullt të tyre. “Informacionet e pakta dhe kufizimi i fondeve çojnë në rënie dhe me këto ritme do ta kemi të vështirë të bëhemi një shoqëri me stimujt e duhur, për t’u rritur e për të nxitur të tjerë që të lexojnë. Një i ri mesatar shqiptar nuk gjen kënaqësi dhe as dobi nga leximi passhkollor”, argumenton një tjetër.
Gentjan Tufa, një i ri që lexon rregullisht dhe i dhënë pas librit, pranon se raporti me leximin nuk është asnjëherë konstant. “Kushtëzohet nga koha fizike. Leximi më ka bërë më të zgjuar, nuk më ka lënë të ndihem i vetmuar, as të humbur, më ka ndihmuar të njoh më mirë veten dhe të tjerët, të bëj shumë miq me të cilët ndajmë të njëjtën varësi: të lexuarit. Leximi nxitet nga njerëzit e duhur që dinë të sugjerojnë libra të duhur. Mënyra më e mirë për të ruajtur një marrëdhënie të mirë me leximin është sinqeriteti në kënaqësinë estetike, thotë Borghesi”, përfundon argumentin Gentjani.
Një pjesë e të anketuarve theksuan se dëshira për të lexuar ka humbur, sidomos në botimet e gjuhës shqipe, fakt që vërtetohen me preferencat në botimet e gjuhës angleze.
Libraritë e kryeqytetit janë shpesh pikëndalese për mua. Këtë herë, m’u desh të vizitoj disa prej tyre, ku u vura përballë një numri të ulët të interesuarish në “stacionet” ku shiten libra. Në vend të kësaj, të rinj e të rritur shihen çdo ditë e më të shumtë në kafene. Një shembull konkret vjen në librarinë “Adrion”, ngjitur me Bibliotekën Kombëtare. “Interesi këtë verë ka qenë më i madh, për shkak të sezonit dhe njerëzit duan medoemos të kenë të paktën një libër për ta lexuar”, thotë librashitësja e “Adrion”. Të rinjtë, sipas saj, i drejtohen botimeve të gjuhës angleze, mosha e mesme preferon klasikët, ndërsa të vjetrit qëndrojnë më shumë te filozofia, historia dhe librat motivues. Në librari ka një grusht njerëzish, ndërsa kafenetë ngjitur janë plot.
Një zotëri rreth të 70-tave, anëtar i bibliotekës prej 1999-s dhe lexues librash, shpreh bindjen për forcën që ka leximi. I ulur në një karrige, gjen rast për të marrë një libër, duke nxjerrë gjithashtu dhe shënime.
“Format e këtij shteti janë vjetëruar. Duhen gjetur mënyra për t’i mbështetur shkrimtarët e rinj, kjo sepse e mira publike është koncept i modernizmit”, më thotë ai.