Të njohim autorët tanë: Evarist Beqiri!
Evarist Beqiri u lind më 25 shtator 1982, në Vlorë. Në vitin 2007 diplomohet “Jurist” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Po aty në vitin 2011, kreu studimet Master i Nivelit të Dytë. Në vitin 2010, përfundon Shkollën e Studimeve Politike të Këshillit të Evropës. Në vitin 2017, fiton gradën shkencore “Doktor” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë.
Prej më tepër se 15 vitesh ka shërbyer në administratën publike shqiptare në fushën e sigurisë kombëtare (11 vite në pozicione drejtuese). Në vitin 2021, ka kryer Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, kurs në të cilin është edhe lektor prej vitit 2021.
Ka kontribuar si lektor në një sërë trajnimesh për sigurinë kombëtare, organizuar nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht është konsulent ndërkombëtar i UNODC dhe OSBE-së. Njëkohësisht prej vitesh Evarist Beqiri është lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në lëndën: E Drejta Kushtetuese.
Për 9 vite ka qenë lektor në Universitetin “Luarasi”, Fakulteti i Ekonomisë, në lëndën: Lidershipi. Ka botuar gjithashtu një parathënie origjinale në librin e përkthyer prej tij “Lidershipi i John F. Kennedy” (2013).
Në vitin 2022, ka botuar librin “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”. Me këtë botim është vlerësuar nga platforma “Bukinist.al” dhe blogu “Leximtari”, si libri më i mirë i vitit 2022, në kategorinë e librit non-fiction dhe studimor. Njëkohësisht, libri “Themeluesi” është shpallur finalist i çmimit “Lumo Skëndo”.