Poezia shqipe parë nga këndvështrimi i shkrimtarit Rudolf Marku!
Në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë kush më mirë se Rudolf Marku, autori i Antologjisë “Veshun me diell, mbathun me hanë”, mund të fliste për rëndësinë e kësaj dite, veçanërisht për poezinë shqipe dhe fazën në të cilën kjo e fundit ndodhet. Gjatë bisedës Rudolf Marku ndan me “Mediaprint” edhe të pathënat e krijimit të Antologjisë së Poezisë Moderne Shqipe, “Veshun me diell, mbathun me hanë”.
“Dita Ndërkombëtare e Poezisë”, çfarë rëndësie ka kjo ditë, veçanërisht për poezinë shqipe?
Dita Ndërkombëtare e Poezisë ka për poezinë shqipe atë rëndësi që ka vetë poezia. Shkrimet e para në botë – ata të Mesopotamisë a Rigvedat e Indisë – fillojnë më poezinë. Që nga ajo kohë e largët, 4000 vite më parë, e deri më sot, poezia është shprehja e shpirtit njerëzor, është letërnjoftimi i qenies njerëzore, në dallim me ‘qytetarët’ e nderuar të ‘mbretërisë së kafshëve’. Hekuba moderne predikon vdekjen e poezisë, nën pretekstin se teknologjia, mediat sociale, Facebook, Instagrami, dhe tani së fundi, Inteligjenca Artificiale, kanë filluar të shkatërrojnë poezinë, librin, artin. Ndoshta unë i përkas klasës së kokëfortëve të ‘shkollës së vjetër’, që mendon se sa kohë që shpirti njerëzor do të jetë gjallë, aq kohë do të vazhdojë leximi i poezisë. Besoj se shpirtin, nuk e ka shpikur djalli!
Poezia shqipe është pjesë e rëndësishme e poezisë ndërkombëtare, sepse është pjesa më e rëndësishme e identitetit tonë. Vendi ynë duhej ta përqafonte, më përpara se rusët e grekët, zakonin që, për gjërat më të rëndësishme të kombit, të pyesnin se çfarë mendojnë poetët dhe krijuesit, përpara se të pyesnin se çfarë mendojnë politikanët. Dhe po kështu, duhet të ishin poetët dhe krijuesit, përfaqësuesit e parë të diplomacisë së shtetit shqiptar, ashtu siç bëjnë dhe fqinjët tanë jugorë me përfaqësuesit diplomatikë të vendit të tyre, në vendet e botës.
Në këtë periudhë, si mendoni në çfarë faze është poezia e gjuhës shqipe?
Poezia shqipe është pjesa më e përparuar e vetë letërsisë shqipe. Kjo shpjegohet me traditën e madhe të poezisë, në krahasim me artet a zhanret e tjera letrare. Mos të harrojmë se letërsia shqipe në të kaluarën ka Pjetër Bogdanin, Jeronim de Radën, Naimin, Asdrenin, Ndre Mjeden, Fishtën, Lasgushin, Martin Camajn- po të përmendnim veç disa nga emrat e poetëve të së shkuarës, poetë me të cilët do të ishte krenuar çdo vend i qytetëruar, po t’i kishte patur poetë të gjuhës së vet. Tradita e poezisë shqipe ka njerëzit më shtatlartë, ku duke ndenjur në supet e tyre, poetët bashkëkohës mund të shohin më larg nga kolegët e vet, të fushave të tjera të krijimtarisë.
Si lindi ideja për të krijuar një antologji për poezinë moderne shqipe? Cilat janë vështirësitë që keni hasur gjatë punës suaj?
Hartimi i Antologjisë Moderne të Poezisë Shqipe është njëra ndër detyrat e poetit laureate. Por edhe nëse nuk do të kishte qenë obligim, që rrjedh nga detyra si poet laureat, hartimi i një Antologjie të Poezisë i shkon ndërmend çdo lexuesi dhe çdo krijuesi në botë. Kur një nxënës shkolle fillon e shkruan në një fletore titujt e poezive që i kanë pëlqyer, ky nxënës pa dashjen e vet, ka filluar të hartojë një Antologji!…Një shtysë tjetër për krijimin e antologjisë, në kushtet e vendit tonë, ishte dhe pakënaqësia që të krijon, ajo masë amorfe e dhjetëra e dhjetëra Antologjive të botuar pa asnjë parim estetik dhe letrar nga të tjerët.
Çfarë e veçon “Veshur me diell, mbathur me hanë” nga antologjitë e tjera, që duhet thënë janë të shumta në vendin tonë?
Përzgjedhja e poezive në bazë të kanoneve estetike të poezisë më të mirë. Shpërfillja e hierarkive të rreme, të krijuar nga pseudo-akademikët tanë. Injorimi i tipareve të mëparshme krahinore, ideologjike dhe patriotike të antologjive të mëparshme.
Pse adhuruesit e poezisë duhet ta kenë këtë libër në bibliotekën e tyre? Si është pritur ky botim, nëse mund të ndani me ne ndonjë kujtim që ju ka lënë mbresa..
Duke patur në bibliotekat e veta Antologjinë ‘”Veshur me diell, mbathun me hanë’, lexuesit do të kenë mundësinë që të kenë pjesën më të mirë të poezisë shqipe, në një libër të vetëm. Duke lexuar këtë Antologji, besoj se edhe skeptiku më cinik, do të mendojë se poezia shqipe nuk qenka ashtu siç ia kanë keqinterpretuar në bankat e shkollës, si diçka të bezdisshme dhe pa vlerë. Edhe për një arsye tjetër: botimi i kësaj Antologjie është bërë nga “Mediaprint” me një përkujdesje dhe respekt të rrallë ndaj vetë poezisë shqipe, si asnjë Shtëpi Botuese tjetër.