Të njohim autorët tanë: Adelina Mamaqi!

Të njohim autorët tanë: Adelina Mamaqi!

Shkrimtarja Adelina Mamaqi ka lindur në Tiranë, më 27 dhjetor 1939. Ka filluar të shkruajë në moshën 9-vjeçare e të botojë 16 vjeçe. Në 1963 botoi përmbledhjen poetike “Ëndrra vashërie”, duke u bërë poetja e parë e poezisë shqipe, e cila theu tabu, duke shpalosur ndjenjat e vajzës shqiptare.

Ka punuar si redaktore në Shtëpinë Botuese “N. Frashëri”, në Lidhjen e Shkrimtarëve në revistën “Nëntori”, në revistat “Fatosi”, “Pionieri” “Mrekullia” “Foleja jeshile”, “Xhoi” si redaktore dhe kryeredaktore. Ka qenë kryetare e Shoqatës Mbarëshqiptare të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj, anëtare kolegjiumi në shtypin letrar, anëtare e bordit të Teatrit të Kukullave, redaktore dhe anëtare e jurisë shumë vite me radhë e Festivalit Kombëtar të Shkodrës. Ka shkruar shumë pjesë teatrale, tabllo muzikore dhe tekste këngësh me kompozitorët më të njohur.

Në letërsinë për fëmijë ka lëvruar të gjitha zhanret: poezinë, poemën, poemë përrallën, tregimin, tregimin fantastiko-shkencor, novelën fantastiko-shkencore, novelë përrallën, poezinë humoristike, fabulën dhe në të gjitha zhanret, është vlerësuar me çmime të para.

Librat e saj janë botuar ose ribotuar në Kosovë, Shkup, Itali, Greqi e një libër gjer në Australi.

Adelina Mamaqi është dekoruar dy herë me urdhrin “Naim Frashëri” dhe është përfshirë në antologjinë botërore për poezinë për fëmijë.

Në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Mediaprint” ka botuar librat, “Qielli shkundte yjet”, “Lepurushi me 10 këmbë”, “Ne tani lexojmë vetë”, me të cilin në vitin 2021 u vlerësua me çmimin e Panairit Kombëtar.