Del udhëzimi për provimet kombëtare të arsimit bazë!
Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimin për organizimin dhe zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë për vitin shkollor 2023-2024.
Në këtë udhëzim konfirmohen datat për provimet kombëtare, të cilat përkatësisht janë: 20 qershor provimi për lëndën e gjuhës shqipe; 25 qershor për lëndën e matematikës; 28 qershor për gjuhën e huaj, dhe më 21 qershor provimi për gjuhën amtare për nxënësit e pakicave kombëtare.
Gjuhët e huaja që do të jepen si provim i detyruar janë: “Anglisht”, “Frëngjisht”, “Italisht” dhe “Gjermanisht”.
Procedurat e hartimit dhe vlerësimet të testeve përcaktohen në rregulloren për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë në Republikën e Shqipërisë, miratuar me Urdhrin nr. 74, datë 15.02.2024, të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, “Për miratimin e rregullores për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë, në Republikën e Shqipërisë”.
Provimet fillojnë në orën 10:00 dhe çdo provim zgjat 2 orë e 30 minuta. Çdo ZVAP merr nga qendrat e vlerësimit të testeve dhe ruan të dhënat e çdo nxënësi, të vlerësuesve të testeve dhe të mjediseve ku janë realizuar provimet kombëtare të arsimit bazë. Këto të dhëna dërgohen nëpërmjet DRAP-së, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe në QShA.