Dituri Malaj, mësueses që s’i shter kurrë pasioni për matematikën!
Mësuesja e dashur e lëndës së matematikës, Dituri Malaj ka zhvilluar një bisedë me Shtëpinë botuese “Mediaprint” me rastin e 7 Marsit. Pas kaq shumë vitesh në mësimdhënie, mësuese Dituria e përshkruan kështu rrugëtimin e saj, “Një rrugë plot sfida, lodhje që harrohen dhe shumë kënaqësi”.
Matematika është një lëndë që konsiderohet e vështirë nga një pjesë e nxënësve, e shpesh dhe jo shumë e pëlqyer, por mësuese Dituria është përpjekur t’i përfshijë sa më shumë nxënësit e në këtë mënyrë ata kanë kuptuar zgjidhjet e ushtrimeve.
Ka dhënë maksimumin dhe më të mirën e saj përgjatë viteve dhe teksa e pyesim për çelësin e suksesit në mësimdhënie, ajo thotë, “Çelësi është dashuria, pasioni për të dhënë mësim”. Dhe nëse ka një këshillë për të gjithë mësuesit dhe mësueset e reja, ajo është që punën e tyre ta bëjnë zemër, sepse në rrugën që kanë zgjedhur vetëm në këtë mënyrë do të kenë sukses.
Të shumtë janë nxënësit që ndër breza që e kujtojnë mësuese Diturinë dhe shpesh ngjallin tek ajo ndjenjën e nostalgjisë. E teksa e pyesim nëse ka një mesazh për nxënësit dhe mësuesit, mësuesja e dashur e matematikës nuk nguron të përgjigjet, “Duhet t’i japin më shumë besim, respekt dhe dashuri njëri-tjetrit”.
Edhe pse ka dalë në pension, mësuese Dituria vazhdon të punojë me të njëjtin pasion në institucione private. Shumë ndryshe nga brezi i saj, ka thyer barriera, dhe numëron në rrjetin social TikTok pafund ndjekës. E ka kthyer profilin e saj në një dritare edukuese, që bën diferencën.
Mësuese Dituri Malaj është edhe autore tekstesh shkollore. Prej 15 vitesh bashkëpunon me Shtëpinë botuese “Mediaprint”.