Intervistë/ Astrit Hykaj, mes shkrimit dhe përkthimit!
Nga Anita Aliaj
“Në të vërtetë gjërat përkeqësohen gjithmonë përpara se të marrin për mirë. Ashtu ndodhi edhe në vendin tonë gjatë viteve ’90 në tërësi. Për mua, pika zero është çasti i zgjimit të njeriut së brendshmi. Këndellja, si të thuash”, shprehet autori Astrit Hykaj, duke iu referuar një prej temave qendrore të romanit të tij “Kafene ‘Monaliza’”. Duke u kthyer te vitet ’90, autori sjell një pasqyrë të një shoqërie në ndryshim, problemet e së cilës duket se vijojnë ende sot. Në këtë intervistë për “Mediaprint”, shkrimtari dhe përkthyesi ndan me lexuesit pikëvështrimin e tij mbi veprën, përkthimin dhe rrugëtimin e tij në letërsi.
“Kafene ‘Monaliza’” është përqafuar dhe pëlqyer nga lexuesit. A ka pasur ndonjë reagim që ju ka surprizuar?
Kam patur reagime të ndryshme. Më kanë shkruar dhe telefonuar plot lexues dhe kanë ndarë me mua përshtypjet dhe mendimet e tyre rreth librit. Gjithashtu, për romanin “Kafene Monaliza” kanë shkruar media të ndryshme si: revista kulturore-shkencore UNIVERS, Observercult dhe Fjala.al. E vetmja gjë që më ka befasuar janë përshtypjet e Prof. Jorgji Doksanit rreth kësaj vepre.
Kjo vepër na kthen në vitet ’90, por sa mendoni se temat që trajton mbeten aktuale edhe sot?
Romani i vendos ngjarjet në një kohë kur në vendin tonë filluan të rrënohen kushtet ekonomiko-shoqërore që i nevojiten njeriut për një jetë normale. Mendoj se këto kushte i mungojnë shoqërisë sonë edhe në ditët e sotme. Largimi i shqiptarëve jashtë vendit, le të themi, përgjatë dhjetë viteve të fundit e tregon më së miri mungesën e tyre.
Çfarë mendoni se e dallon romanin “Kafene ‘Monaliza’” nga veprat e tjera letrare?
Nuk merrem me krahasime asnjëherë. Prandaj e kam të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Megjithatë, ne shpesh na qëllon të lexojmë një libër dhe të themi me vete: sa i bukur, ose sa i veçantë, etj. Dhe as vetë se dimë përse ndjehemi kështu. Në fakt, kjo ndodh vetëm ngaqë shkrimtari ia ka dalë të mishërojë brenda veprës të gjitha parimet e teorisë së letërsisë. Vetëm kështu mund të dallojë një vepër nga veprat e tjera. Gjithmonë e kam fjalën për letërsinë klasike të cilën unë e lëvroj. Për lloje të tjera të letërsisë nuk shprehem dot.
Në libër flitet për “pikën zero”, një moment nga i cili lind dëshira e zjarrtë për të jetuar. Si ka lindur kjo ide dhe çfarë përfaqëson për ju?
Kjo pyetje më kujton Hamletin kur thotë: “Për t’u bërë i mirë, do të bëhem më i keq”. Në të vërtetë gjërat përkeqësohen gjithmonë përpara se ato të marrin për mirë. Ashtu ndodhi edhe në vendin tonë gjatë viteve ’90 në tërësi. Për mua, pika zero është çasti i zgjimit të njeriut së brendshmi. Këndellja, si të thuash.
Përkthimet tuaja janë shumë të vlerësuara, si “Margaritari” dhe “Lulet e mollës”. Cila është vështirësia më e madhe në ruajtjen e stilit origjinal gjatë përkthimit?
Mendoj se gjëja më e rëndësishme në përkthim është të dish ta lexosh, jo atë që ka shkruar autori, për atë çfarë ka dashur të thotë përmes asaj që ka shkruar. Pastaj vjen sintaksa. Është mirë që përkthyesi t’i qëndrojë besnik ndërtimit të fjalisë ashtu siç e ka formuar shkrimtari, me përjashtim të rasteve të veçanta. Nëse shkrimtari flet në ligjëratë të drejtë, ashtu duhet të veprojë edhe përkthyesi. Stili mund të ruhet gjithashtu përmes gjetjes së togfjalëshave dhe shprehjeve të barasvlefshme në gjuhën shqipe, në të cilën po e përkthen veprën.
Dimë që po punoni për një vepër të re. Mund të na tregoni pak më shumë rreth saj?
Po, jam duke përfunduar një roman të përshtatshëm për moshat 11 deri në 101 vjeç! Po përtej shakasë, mendoj se është një roman që më së miri u shërben të rinjve. Këtu për herë të parë marr përsipër ta sjell ngjarjen letrare përmes një gojëdhëne të moçme shqiptare. Vepra shtjellon NDRYSHIMIN, si e vetmja konstante që e shoqëron njeriun nga lindja deri në vdekje.
Si kanë ndikuar studimet në Angli në qasjen ndaj letërsisë dhe krijimtarisë?
Fillimisht dhe para së gjithash unë jam i brumosur me kulturën, historinë dhe gjuhën shqipe. Jeta dhe studimet në Angli kanë qenë një mundësi shtesë që i kanë shërbyer formimit tim. Sa i përket letërsisë, shijet e mia natyrshëm anojnë kah letërsia anglo-saksone. Kjo lloj përkatësie detyrimisht që pasqyrohet sadopak edhe në punën time si shkrimtar.
Çfarë gabimesh duhet të shmangin të rinjtë që duan të fillojnë të shkruajnë?
Shkrimtarëve të rinj do t’u lutesha që të mos bëjnë gabim e të nguten; do t’u lutesha që së pari të thellojnë në njohuritë rreth gjuhës shqipe; do t’u lutesha që para se të shkruajnë, të mendojnë, të mendojnë shumë. Të menduarit është pjesa më e madhe dhe më e vështirë e punës së shkrimtarit.
Çfarë përfaqësojnë librat për ju, si shkrimtar dhe si lexues?
Si lexues libri ma ka mundësuar që të njihem me disa prej mendjeve më të ndritura që kanë jetuar ndonjëherë në rruzullin tokësor. Ndërsa si shkrimtar, veprat e mia i shoh si ura lidhëse, mes meje dhe lexuesit. Domethënë, pavarësisht se unë e kaloj një pjesë të mirë të kohës duke shkruar i vetëm, në të vërtetë nuk ndjehem i vetmuar. Përkundrazi, përmes asaj çfarë unë shkruaj, jam i lidhur me qindra e mijëra njerëz, në këtë rast me lexuesit.
