Te shkruarit, një pasion i pandashëm për Rovena Rrozhanin!
Në mes studimeve letrare dhe mësuesisë, të shkruarit është një nga 3 pasionet që i kalojnë caqet për Rovena Rrozhanin. Të shkruash letërsi për fëmijë nuk është e lehtë, por për autoren kjo është një gjë të cilën e ka përqafuar pasi siç ajo shprehet, për të realizuar ëndrrat e saj gjithmonë i është dashur të përshkojë rrugë të gjatë e të lodhshme. Në një bisedë me “Mediaprint”, autorja Rovena Rrozhani nuk nguron të veçojë librin e saj të preferuar, të tregojë çfarë e frymëzon dhe ç’është duke shkruar, teksa flet edhe për tekstet e bukura të këngëve që ka realizuar..
E kujtoni momentin kur kuptuat se të shkruarit ishte diçka më shumë se sa thjesht një pasion?
Kam disa pasione në jetë, por vetëm 3 prej tyre i kalojnë caqet e tyre. Janë rritur bashkë me mua ndonëse jo në mënyrë të vazhdueshme; studimet letrare, mësuesia dhe shkrimi. Studimet letrare i kam dashur gjithmonë, por me mbarimin e fakultetit dhe mbylljes së mundësisë për të vijuar aty, ky pasion mbeti pak cung. Gazetaria mori kohën dhe kërshërinë time për ta eksploruar dhe u bë një mjet jetese gjithashtu. Megjithatë unë herë pas here shkruaj, edhe pse rrallë herë i publikoj punët e mia. Janë një pjesë shumë intime për mua. Mësuesia është dhuntia ime e lindur dhe e trashëguar nga një fis mësuesish, por i kemi qëndruar larg njëra-tjetrës për arsye të ndryshme. Pavarësisht kësaj, gjatë punës sime jemi rigjetur shpesh. Më ka ndihmuar në punën time dhe më ka falur gjithashtu gëzim. Shkrimit nuk i jam ndarë asnjëherë dhe nuk besoj se do ta lëmë njëri-tjetrin. Mund të ndryshojmë formë si njeriu nga mosha, por kemi lindur për të ecur bashkë deri në fund. Të paktën kështu shpresoj.
Pse zgjodhët të shkruani libra për fëmijë?
Letërsia për fëmijë është më e vështira dhe mua kurrë nuk më janë realizuar ëndrrat lehtë. Jam mësuar të përshkoj rrugë të gjata dhe të lodhshme, të cilat jo pak herë më shkaktojnë andralla, por përgjithësisht kanë një pikë mbylljeje.
Edhe pse mund të jetë e vështirë, keni ju një libër të preferuar ose që do ta veçonit nga të tjerët për ndonjë arsye?
I dua të gjithë librat, por më shumë dua ata që marrin pak dashuri dhe që ndihen të dobët pa qenë të tillë. Ndaj dua të them se “Tullumbacja e bardhë” është libri im, të cilit i jap pak më shumë dashuri se të tjerëve. Është një përrallë që ka humor, dhe jo thjesht një batutë si në librat e tjerë që kam shkruar; ka një paralelizëm dhe të qartë midis mendjes dhe shpirtit, pra Lili, personazhi kryesor zgjidh probleme që bazohen te mençuria dhe njohuritë që ka, por nga ana tjetër duhet të zgjidhë edhe një dilemë të fortë si: “lumturia është e plotë nëse ata që na rrethojnë nuk janë të lumtur?” apo “A mund të jemi të lumtur sepse zotërojmë çfarë duam?”. Është një përrallë për fëmijë, e bazuar në një përrallë humoristike popullore për të rritur, dhe unë e kam shkruar sigurisht edhe me ngjarje të reja. Te lexuesit e vegjël ky libër ka gjetur vend, por kritika apo të rriturit akoma nuk e kanë evidentuar sa duhet këtë libër. Jam e bindur që koha do të tregojë, se është një libër që i rri shumë mirë të gjitha grupmoshave. E dua shumë edhe Fanin (“Fani në kërkim të dritës”) që po bëhet film i animuar nga regjisori Artur Dauti, apo dy vëllimet e “Lëndinës së arushëve’. Më i riu, “Arinjtë duan të fluturojnë” është një udhëtim i gjatë që i mëson fëmijët të reagojnë dhe të rriturit të kujtojnë fëmijërinë e tyre. Edhe “Rozi dhe domatja kërcimtare” është shumë e dashur për mua, sepse nëpërmjet Rozit tregoj kujdesin ndaj vetes, por edhe argëtimin e lojës që bashkon të gjithë familjen.
Çfarë e frymëzon Rovena Rrozhanin?
Realiteti; nëse nuk e vëzhgon, nëse nuk e jeton, nuk ka letërsi. Edhe fantazia më e çmendur ka në bazë realitetin. Ai është për letërsinë si bërthama e Tokës ose mirë si forca e gravitetit, që mban të gjitha fantazitë bashkë.
Jeni autore e disa teksteve këngësh, të vlerësuara edhe me çmime në “Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë”, si i kujtoni këto momente?
Janë sfida më vete sepse nuk ke të bësh vetëm me veten tënde, por duhet të shkruash tekste dhe t’i përshtatësh me muzikën. Përtej festivaleve kam bërë dhe disa këngë me Adi Hilën, me të cilin mësova më shumë se si bashkohen fjalët dhe muzika. Kemi shkruar një album të tërë me këngë, për shfaqjen “Rozi dhe kopshti magjik” në gati 2 javë. Të gjithë të rriturit që shikonin shfaqjen me fëmijët, i këndonin. Këngën e krepës e kemi kënduar deri vonë në shtëpi. Sigurisht që më e bukura mbetet kënga “Eja me mua”, në fakt për atë tekst kënge më është dashur të dëgjoj muzikën e Adit me orë të tëra, teksa udhëtoja me tren jashtë vendit. Nuk erdhi menjëherë, ishte rrugë pak më e vështirë, por fundi ishte një shpërblim i vërtetë, sepse u bë një këngë e dashur për fëmijë dhe të rritur. Do të kisha punuar me dëshirë për një këngë të re, por kjo nuk varet vetëm nga unë.
Aktualisht jeni duke shkruar ndonjë libër? Dhe nëse po, mund të ndani me ne diçka?
Nuk është vetëm një. Asnjëherë nuk kam vetëm një libër. Dy përralla, janë gati, por akoma nuk kam biseduar me botuesin se kur dhe cila prej tyre do të botohet këtë vit. Natyrisht unë do të preferoja që të botoja të dyja, por kjo mbetet për t’u parë. Në dorë kam edhe dy libra të tjerë, njërin që sapo e kam nisur dhe një tjetër që kishte mbetur në mes të udhës, por besoj se i ka ardhur koha për t’u përfunduar.
Keni një mesazh për të gjithë lexuesit e vegjël?
Zakonisht lë librat e mi që të flasin. Ndaj duhet t’i lexojnë që të mësojnë mesazhin që kam për ata…