Të njohim përkthyesit tanë: Taulant Hatia!
Taulant Hatia ka lindur në vitin 1971 në qytetin e Fierit.
Është diplomuar në degën e Matematikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Më pas ka kryer studimet pasuniversitare në Menaxhim nga IFG de Tirana, Universiteti Montesquieu, në Bordeaux IV.
Gjatë përvojës 30-vjeçare të punës, për 20 vjet ka punuar në media, përgjithësisht televizive, publike dhe private, ndërkohë që ka shkruar për gazeta dhe revista të ndryshme artikuj të ndërlidhur me letërsinë, historinë, gjuhësinë apo përkthime të ndryshme.
Për tre vjet, ka drejtuar revistën “Shkenca dhe natyra”, të vetmen revistë shkencore shqiptare të njohur nga komuniteti i gazetarisë shkencore evropiane. Ka kryer specializime dhe trajnime të ndryshme mbi gazetarinë, mediat dhe informacionin. Hatia punon si përkthyes i lirë prej mbi 25 vjetësh dhe është sot një nga përkthyesit më të njohur në botën shqipfolëse, falë titujve të letërsisë së shquar botërore që ka sjellë me cilësi të lartë në shqip, larmisë së përkthimeve (letrare, historike, teknike, studimore, etj.), por edhe volumit të titujve, me rreth 120 libra të përkthyer nga anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe italishtja.
Ka përkthyer trilogjinë e Xhaipurit të autores indiano-amerikane Alka Joshi, e cila vjen në gjuhën shqipe nga Shtëpia botuese “Mediaprint”.
Hatia njihet njëherësh edhe si autor i disa librave.
Ka hobi gjuhët, pikturën.
Jeton në Tiranë, me bashkëshorten dhe dy fëmijët.