SË SHPEJTI TRANSPORT FALAS NË TIRANË

Image Alt
produktet

Lista e Librave

Tirana – tri jetët e një qyteti

L2,000.00

Autor: Dritan Egro
ISBN 9789928086792

Kategoria:

Përshkrimi

Ky libër mbi Tiranën qysh nga fillimet e saj në Antikitet e deri në momentin e shpalljes kryeqytet në fillim të shek. XX, vjen në një terren ku studimet e reja historike si përpjekje për të riparë apo për t’i rihapur çështjet e ‘pashkoqitura’ të historisë janë të vakëta. Historianët profesionistë që kërkojnë të ofrojnë qasje e perspektiva të reja pashmangshmërisht duhet të përballen me ata që mbrojnë pikëpamje ‘komode’, por shterpë. Në këtë kuadër, ky libër vjen si një përpjekje për të shpjeguar dhe për t’i dhënë kuptim së shkuarës së Tiranës dhe rajonit që e rrethon, si dy pjesë përbërëse të një realiteti historik që kanë bashkëvepruar intensivisht mes tyre. Pra, ky libër është një përpjekje për të hedhur dritë mbi atë se ç’ka qenë Tirana; asaj që ende shihet, por edhe e asaj që nuk shihet, por ndihet. Tirana si qytet i periudhës osmane përbën vetëm ‘jetën’ e tretë të kësaj qendre urbane. Në Antikitet ‘rrënjët’ duhen kërkuar në qytetin ilir në Zgërdhesh; në Mesjetë në Krujë; kurse në kohën e re aty ku gjendet sot. Argumentimi i ‘tri jetëve’ të këtij qyteti është sfida e këtij libri.
Emrat Albanopolis dhe Albanon përfaqësojnë në thelb termat e pandryshuar, me të cilat të huajt kanë thirrur vendasit dhe qytetin e tyre; emrat Zgërdhesh dhe Krujë përfaqësojnë emrat me të cilat vendasit kanë thirrur qytetet e tyre. Ndërsa emrat Albano(polis) dhe Albanon në thelb janë të njëjtë, termat Zgërdhesh dhe Krujë janë krejt të ndryshëm, madje ato mishërojnë përkatësisht: i pari emrin e një _si (Skurrajt), ndërsa i dyti një veçori natyrore të vendit (krojet). Pra, në këtë rast ka një dallim nga këndvështrimi i emërtimit që të huajt dhe vendasit i kanë bërë këtyre qyteteve.
Kur osmanët mbërritën në trevat shqiptare dhe morën qytetin e Krujës (gjysma e parë e shek. XV), ata e thirrën atë Akça-hisar (qytet shumë i bardhë, i shndritshëm). Pse vallë një emërtim i tillë, befasues madje kur e dëgjon edhe sot? Të ishte i rastësishëm një emërtim i tillë? A lidhet përdorimi i këtij toponimi me Alba-n (e bardhë, e shndritshme) të Albanopolisit antik? A ishte ky përdorim nga osmanët një thirrje kujtese për një qytet që qysh nga Antikiteti ishte thirrur nga të huajt Albanopolis?
Të shkruash historinë e Tiranës do të thotë të rrëfesh traditën e thekshme urbane të tre qyteteve – Albanopolisit/Zgërdheshit, Albanonit/Krujës, e së fundi Tiranës moderne; do të thotë të kuptosh se pse ‘u trashëgua’ emri Skurraj/Sëpata nga emër qyteti (Zgërdhesh = vendi, qyteti i Skurrajve) në mbiemrin identifikues të familjes më të njohur mesjetare shqiptare; por edhe pse Toptanët e Krujës ‘zbritën’ në Tiranë duke lënë gjurmë në historinë moderne të Tiranës.
Një libër që hedh dritë mbi vijimësinë urbane 2500 vjeçare të qytetit të Tiranës.
Një libër që evidenton rolin e rrugëve të komunikimit si faktor i rëndësishëm në themelimin dhe vazhdimësinë e jetës urbane.
Çfarë historie fshihet pas emrit Brraka në qendër të Tiranës? Po familja Skurraj sa e vjetër është?
Çfarë fshihet pas lidhjeve te forta urbane dhe njerëzore mes Krujës dhe Tiranës?

 

Vlerësimet

Ende nuk ka Vlerësime

Bej ti veleresimin e pare “Tirana – tri jetët e një qyteti”

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rr. "Brigada VIII", Kati II Kutia postare 7467 Tiranë +355694044443 botime@mediaprint.al

    '