Përshkrimi
… Një ditë në javë, mësuesit organizojnë në atë shtëpi mbrëmje vallëzimi. Një mundësi për t’u keqkuptuar, për intrigë dhe për të ecur lirisht në shtratin e subjektit të këtij romani, i cili ka nota autobiografike. Ai hedh dritë mbi një epokë historike të vendit tonë, duke prekur marrëdhëniet njerëzore, jetën e përditshme, jetën dashurore, qëndrimet politike e shoqërore, mikpritjen dhe humanizmin.
Bazuar në ditarin e tri motrave mësuese, të cilat jetonin në shtëpinë e protagonistit, që merr përsipër të rrëfejë ngjarjet, me një gjuhë tërheqëse dhe të zhdërvjelltë, lirike dhe të pasur romani është shkruar me një stil tërheqës dhe lexohet me ëndje….
Ngjarjet jepen me një realizëm që bie fort në sy, duke çmuar çdo detaj dhe gjetje artistike. Personazhet përshkruhen sa me ngrohtësi e thjeshtësi, po aq edhe me humor e sinqeritet.
“Jeta nuk varet nga ditët që ne kalojmë, por nga momentet që përjetojmë… .”
Duke lexuar këtë libër do të ndiheni si në shtëpinë tuaj.
«Shtëpia e vallëzimit» është romani më i fundit i autorit, Xhevair Lleshi. Një subjekt i thjeshtë, me tone autobiografike, në kujtesën e tri motrave mësuese dhe ditarin e tyre interesant të çon në fillim-vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, me ngjarje pikante që ndryshojnë jetën në pamje të parë dhe e futin atë bashkë me rrjedhën e jetës dhe në shtratin e kujtesës ku gjuha lëngon, por është pikërisht aty vendi ku qielli i imagjinatës lulëzon. Sigurisht është koha që e than shtratin dhe koha që përtërin kujtesën.
Gjuha e ëmbël, e shtruar, e bukur, e ndritshme dhe e lëbyrtë, e hollë e plot finesë, vjen përmes këtij romani të bukur dhe tërheqës i cili na befason.
Në këtë roman ne shohim majën e zbardhur të malit, atë pak borë shkundur nga qiejt ku frymon gjithnjë intuita, kujtesa, jeta, e cila kapërthehet e rëndë dhe e bukur në pak metra katrorë, sak në shtëpinë e vallëzimit.
Me një shqipe tingëlluese, përplot mall dhe e dashuruar, gjuhë tunduese dhe aq e sigurt! Kjo është gjuha që i shkon aq shumë për shtat romanit «Shtëpia e vallëzimit» dhe të ngre atje ku tortura jote dhemb më bukur, qumështi i gjirit të dimrit, që i duhet tokës për ta mëkuar atë kërthi metafore që rritet. E kjo bëhet shkak për të hyrë drejt e te portreti i personazheve, (po çfarë portreti, se!) gdhendur me mollëzat e gishtërinjve të një shpirti të alanitur, bëhet tingull i brendshëm i zërit që hesht, gjithnjë buzë-etur për të shuar përvëlimin e zjarrit të shpirtrave njerëzorë me përvëlime zemrash. Etja është edhe më e madhe, por befas shuhet me jetë që kanë ekzistuar. Dhe dhembja qan, lotët e saj teren për t’u bërë pjesë e metaforës së fuqishme për vetë jetën!
Askush nuk u ka dhënë udhë fjalëve, ashtu si në këtë vepër letrare, përveçse tëholleshin dhe tëhollin mendime, mëkate, mosbindje njerëzore, fjalë Perëndie…
Rreth autorit
XHEVAIR LLESHI – SHKRIMTAR, PSIKOLOG DHE BOTUES
Mësimet e para i mori në vendlindje. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në vitin 1969, me rezultate shumë të mira. Ka drejtuar dy shkolla të bashkuara në fshatrat e Beratit, më pas nisi studimet pranë Universitetin e Tiranës për pedagogji dhe psikologji. Pas studimeve punoi në në gjimnazin «B.D.Karbunara», pastaj në Teatrin e Beratit si skenarist.
Në vitet nëntëdhjetë filloi një epokë e re: demokracia. I angazhuar në krijimtari themeloi në vitin 1991 Shtëpinë Botuese UEGEN e cila ka sot mbi 3000 tituj librash.
Xhevair Lleshi ka marrë titullin “Mjeshtër i madh” dhe shumë çmime të tjera. Shkrimtari ka një arritje të pashembullt në librat e botuar në vite: mbi 50 tituj artistikë, 11 libra psikologjikë, 17 libra historikë, 11 botime (metoda, enciklopedi, publicistikë), 23 libra të përkthyer nga frëngjishtja dhe italishtja, si dhe mbi 4000 artikuj në gazetat dhe revistat e vendit e të huaja. Njohës i mirë i historisë, psikologjisë, folklorit, mitologjisë, dramaturgjisë dhe është stilist në të shkruar… Drejton Qendrën Traditë-Art-Libra (QTAL), Tiranë. Vëmendja e tij e veprimtarive shoqërore janë libri dhe bibliotekat…
Vlerësimet
Ende nuk ka Vlerësime