Inxhinierja që shkruan libra; Valbona Banka vjen me librin e pestë!

Inxhinierja që shkruan libra; Valbona Banka vjen me librin e pestë!

Autorja e librave për fëmijë, Valbona Banka, së shpejti vjen për lexuesit e vegjël me librin e saj të pestë, i cili është vazhdim i dy librave të parë shumë të suksesshëm të “Arias”. Në këtë bisedë me “Mediaprint”, autorja, me profesion inxhiniere, rrëfen gjithçka, nga se si lindi dëshira e saj për të shkruar e pse pikërisht libra për fëmijë, te arsyeja se pse librin “Aria” ka zgjedhur ta sjellë në një botim të tretë.

Jeni me profesion inxhiniere mjedisi, si lindi dëshira për të shkruar?

Profesioni më ka ushqyer dashurinë për natyrën, ndërsa leximi, dashurinë për letërsinë. Dëshira për të shkruar, mbërriti në kohën kur fëmijët e mi nuk ngopeshin me përralla, ndaj shumë prej tyre i krijoja enkas për ta. Vendosa që t’i shkruaj një pjesë të krijimeve, për t’i patur kujtim. E ndërsa i hidhja në letër, zbulova pasionin që më priste me durim, për të rrugëtuar së bashku.

Përse keni zgjedhur të shkruani libra për fëmijë?

Letërsia për fëmijë në vendin tonë, ka nevojë për autorë të rinj, krijime bashkëkohore, për t’i afruar fëmijët dhe të rinjtë me librin.

Jeni duke botuar romanin tuaj të pestë, si ndiheni?

Kam filluar të shkruaj para disa vitesh dhe çdo herë krijoja një histori, e fusja në sirtar. Sirtarin e ëndrrave! Ndjehem e lumtur, kur shoh librat e mi në vitrinat e librarive dhe akoma më shumë, kur komunikoj me lexuesit, pasi kanë lexuar librin e radhës. Frymëzohem të krijoj një histori të re.

Libri i ri është vazhdimi i dy librave të botuar më herët, “Aria”, pse kjo zgjedhje? Dhe, a mund të zbuloni diçka paraprake në lidhje me këtë botim të ri?

Ishte e pamundur që ta përshkruaja Arian dhe botën e saj, brenda një libri. Realiteti ynë në këndvështrimin e një fëmije. Aria prek tema të ndjeshme, me dëshirën për reflektim. Botimi i ri, si dy botimet e mëparshme, sjell një tjetër këndvështrim të Arias për Shqipërinë. “Aria – Në dorë time!”

Po ju kthejmë pas në kohë, kur libri “Aria-Hidh e prit!” u shpall botimi më i mirë i vitit 2022 nga platforma më e madhe online e librit shqip, “Bukinist.al” dhe blogu “Leximtari”, si e kujtoni këtë moment?

Është një momentet mbresëlënës. Ishin lexuesit ata që e vlerësuan “Arian”, si botimi më i mirë në letërsinë për fëmijë.

Ju vetë, cilin prej librave tuaj keni të preferuar dhe do ta veçonit nga të tjerët, dhe pse?

Unë vlerësoj çdo libër për mesazhet që përcjell te lexuesi, dinamikën e ngjarjeve dhe veçorinë e personazheve. Të katërt romanet përcjellin mesazhe të rëndësishme, si, dashuria për familjen, vendlindjen, njohjes së vetvetes… Janë histori krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, me personazhe unike. “Aria” është një uragan, “Kërshëria” është i madhërishëm, “Zoti Ash”, misterioz dhe enigmatik.

Keni një mesazh për të gjithë lexuesit e vegjël?

Lexojuni prindërve letërsi për fëmijë, ata do të mrekullohen me botën tuaj.