“Brenga e Prokurorit”, suksesi i radhës i Ahmet Prençit!
Autori Ahmet Prençi ka qenë pjesë e një takimi këtë të premte në Kamëz, ku u fol me të rinjtë pjesëmarrës për rëndësinë e librit dhe filmit. Takimi u organizua nga Liridon Mulaj dhe u moderua nga kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, në Pallatin e Kulturës “Artan Cuku”. Pjesëmarrës në takim ishte edhe aktori Ndriçim Xhepa, autori Ylljet Aliçka dhe Arben Çejku.
Autori Ahmet Prençi foli për librin e tij më të ri “Brenga e Prokurorit”, i cili duhet thënë është pritur mjaft mirë nga lexuesit; madje temat interesante që romani trajton, kanë tërhequr vëmendjen e një prej skenaristëve më të mirë, për t’i përdorur për realizimin e një skenari filmi.
Në romanin “Brenga e Prokurorit”, botuar nga Shtëpia botuese “Mediaprint”, zhvillohet një ngjarje e pazakontë që zhytet thellë në skutat e një sistemi drejtësie, sa të kalbur njëherësh edhe në përpjekje për të pastruar vetveten. Ndodhi të fshehura në skuta errësire që kur dalin në dritë, tronditin. Personazhe të vendosur në një mjedis social dhe në marrëdhënie që ngjajnë sa reale, aq edhe imagjinare. Një prokuror që mishëron idealet gati-gati utopike dhe forcën për të bërë drejtësi.
Në romanin “Brenga e prokurorit”, ashtu si te romani “Anja”, duket se pika më e fortë e autorit është krijimi i karaktereve, metamorfizimi i tyre nga të qënurit real në një të vërtetë fiktive.
Kujtojmë që përveç romanit “Brenga e prokurorit” dhe “Anja”, Ahmet Prençi është autor i veprave të tjera, ku do të përmendim, “Udhë në pasqyrë”, 2016; “Artan Cuku – in memoriam”, 2018; “Vice Versa”, 2019.