Blerta Rugova vjen me librin e saj të parë, “RUGOVIZMI – Revolucion i qetë që fillon brenda nesh”!
Nga Blerta Rugova

Sot dua të ndaj me ju diçka shumë të veçantë për mua. ❤️
Për një kohë të gjatë, kam menduar, kam pyetur dhe kam kërkuar përgjigje për shumë gjëra që na shqetësojnë si njerëz dhe si shoqëri. Disa prej këtyre mendimeve i kam ndarë me ju, e shumë të tjera i kam mbajtur brenda vetes.
Sot, ato kanë marrë formën e një libri.
RUGOVIZMI
Revolucion i qetë – që fillon brenda nesh.
Rugovizmi përtej politikës. Rugovizmi përtej historisë. Rugovizmi si udhërrëfyes për jetën e përditshme.
Për mua, Rugovizmi është shumë më tepër se një periudhë apo një trashëgimi që duhet kujtuar. Është një mënyrë e të menduarit, të jetuarit dhe të vepruarit. Është dinjiteti në mënyrën si sillemi me njëri-tjetrin, qetësia përballë vështirësive dhe përgjegjësia që marrim për jetën tonë dhe shoqërinë ku jetojmë.
Ky libër nuk është shkruar vetëm për të kujtuar atë që kemi qenë, por për të pyetur veten se çfarë jemi sot dhe çfarë mund të bëhemi nesër.
Me shumë kënaqësi ju njoftoj se libri im, botuar nga shtëpia botuese Mediaprint, do të jetë pjesë e Panairit të Librit në Tiranë, këtë dhjetor.
📖 Nga 16 nëntori, libri do të jetë në shitje në libraritë e Tiranës, ndërsa nga 23 nëntori, edhe në libraritë e Prishtinës.
Libri do të jetë gjithashtu i disponueshëm për porosi online përmes shtëpisë botuese Mediaprint, për të gjithë ata që dëshirojnë ta lexojnë, kudo që ndodhen.
Nuk e di sa larg do të arrijë ky libër, por e di pse e kam shkruar. Me shpresën se secili prej jush do të gjejë pak nga vetja në faqet e tij, në mendimet, pyetjet dhe përvojat që na lidhin të gjithëve.
Dhe sot, kam një kërkesë të veçantë për ju. ❤️
Më keni përkrahur në shumë rrugëtime, por ky ka një kuptim të veçantë për mua.
Ju lutem, më ndihmoni që ky libër të arrijë te sa më shumë njerëz. Një shpërndarje, një repost apo thjesht duke ia përcjellë dikujt mund të bëjë shumë më tepër sesa mendoni.

