Adelina Mamaqi, një emër që ka shënjuar fëmijërinë e brezave ndër vite!

Adelina Mamaqi, një emër që ka shënjuar fëmijërinë e brezave ndër vite!


Adelina Mamaqi është padyshim një nga shkrimtaret më të njohura të letërsisë për fëmijë. Ajo numëron mbi 60 libra me poezi, tregime, fabula e përralla.

Emri i Adelina Mamaqit u shfaq në letrat shqipe nga fundi i viteve ’50, ndërkohë që në vitin 1963 botoi librin e parë poetik me titull “Ëndrra vashërie”.
Shkrimtarja ka lindur në qytetin e Tiranës, në vitin 1939. Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë-Letërsi.
Teksa ka folur në intervista të ndryshme, Adelina Mamaqi e ka cilësuar jetën e saj si shumë të bukur, duke filluar nga fëmijëria e saj e duke vazhduar më tej, (përveç 4 viteve të martesës së saj). Edhe pas divorcit, për shkrimtaren jeta filloi të lulëzoi, pasi kishte dy fëmijë të mrekullueshëm dhe dy prindër të cilët kanë qenë gjithmonë një strehë e ngrohtë dhe një ndihmë e madhe për të.
Në Shtëpinë botuese “Mediaprint”, shkrimtarja numëron 3 libra shumë të bukur. Bëhet fjalë për “Qielli shkundte yjet”, “Lepurushi me 10 këmbë” dhe “Ne tani lexojmë vetë”.
Në “Qielli shkundte yjet”, autorja ka zgjedhur të sjellë për lexuesin krijimet e saj më të mira mbi jetën, mërgimin dhe dashurinë.

Te “Lepurushi me 10 këmbë”, lexuesit e vegjël do të gjejnë 32 poezi, plot muzikalitet, rimë dhe ritëm. Në këto poezi, autorja pasqyron jetën, botën shpirtërore, lojërat, lodrat e fëmijëve, nëpërmjet të cilave zbaviten, edukohen e marrin njohuri.


Ndërkohë që libri “Ne tani lexojmë vetë” është një antologji e dedikuar për fëmijët që sapo kanë mësuar të lexojnë. Ka 26 tregime, përralla dhe poezi.

Adelina Mamaqi është e përfaqësuar në Antologjinë e Poezisë Botërore për Fëmijë dhe Antologjinë e Poezisë Shqipe në Itali. Ajo është nderuar dy herë me Urdhrin “Naim Frashëri”.