Natasha Shuteriqi: Nga dashuria për librin te magjia e krijimit!
“Dhe sot, kur e mendoj gjithë këtë rrugëtim, më duket se ka diçka thellësisht prekëse në të: fëmija që dikur kërkonte te librat atë që i mungonte, u rrit dhe filloi të shkruante libra për t’u dhënë të tjerëve atë që vetë kishte kërkuar” – Natasha Shuteriqi

Nga Anita Aliaj
Ka dashuri që lindin nga bollëku dhe ka të tjera që lulëzojnë pikërisht aty ku diçka mungon. Dashuria e prof. Natasha Shuteriqit për librin i përket këtyre të dytave. Që në fëmijëri, librat u bënë për të një strehë për shpirtin, një dritare drejt botëve të panjohura dhe një mënyrë për të përfytyruar atë që dëshironte të përjetonte. Ndoshta, pa e kuptuar, pikërisht në ato faqe po lindte edhe shkrimtarja që do të bëhej një ditë. Në këtë bisedë me “Mediaprint”, Natasha Shuteriqi rrëfen rrugëtimin e saj drejt letërsisë, frymëzimin që gjen te fëmijët dhe sfidën e afrimit të tyre me librin në epokën e ekraneve.
Kur ka nisur dashuria juaj e madhe për librin? Dhe kur erdhi ai momenti kur ndjetë se kishte ardhur koha të kalonit në ‘anën tjetër’ të librit, duke mos qenë më vetëm lexuese, por duke filluar të shkruanit vetë?
Dashuria ime për librin ka lindur shumë herët, në fëmijëri. Por nuk erdhi thjesht si një kureshtje për të lexuar, as si një dëshirë për të njohur botën. Erdhi si një nevojë për të mbushur mungesat. Ato mungesa të heshtura që një fëmijë nuk di t’i emërtojë, nuk di t’i shpjegojë, por i ndien thellë brenda vetes. Ishte një lloj urie e veçantë: uri për ushqim shpirtëror, për ndjesi, për përjetime, për botë që nuk i kisha pranë, por që dëshiroja aq shumë t’i jetoja. Asokohe, këtë mundësi ta jepnin vetëm librat. Besoj se pikërisht aty, në atë takim të fëmijërisë me mungesën, lindi imagjinata ime. Sepse imagjinata, shpesh, është mënyra më e bukur që gjen shpirti për të plotësuar atë që i mungon. Libri nuk ishte më thjesht një objekt që e mbaja në duar. Ishte një vend ku strehohesha, rritesha, ndihesha e kuptuar. Dhe, ndoshta pa e ditur, ndërsa lexoja historitë e të tjerëve, po përgatitesha për të treguar të miat. Sa për momentin kur kalova në ‘anën tjetër’ të librit, shkrimi vjen kur ti je mbushur aq shumë përbrenda, sa nuk mund të mbash më gjithçka vetëm për vete. Vjen një moment kur heshtja nuk të mjafton më. Kur ajo që ke brenda kërkon një zë. Për mua, shkrimi nuk ka ardhur si një vendim i marrë me mendje, por si një thirrje e brendshme, së cilës nuk mund t’i përgjigjesha ndryshe. Dhe sot, kur e mendoj gjithë këtë rrugëtim, më duket se ka diçka thellësisht prekëse në të: fëmija që dikur kërkonte te librat atë që i mungonte, u rrit dhe filloi të shkruante libra për t’u dhënë të tjerëve atë që vetë kishte kërkuar.
Letërsia për fëmijë kërkon një ndjeshmëri të veçantë, që jo kushdo e zotëron. Çfarë ju frymëzon më shumë dhe kush apo çfarë është muza e Natasha Shuteriqit?
Muza ime ka fytyrën e një fëmije. Ka sytë e tij kureshtarë, pyetjet e papritura, fjalët e pathëna ende siç duhet, por që mbartin brenda një botë të tërë. Ka edhe zërin e një adoleshenti që përpiqet të kuptojë veten, ndërsa kërkon me ngulm të kuptohet nga të tjerët. Muzat e mia janë ata, fëmijët dhe adoleshentët. Dhe nuk besoj se mund të kisha frymëzim më të bukur, më të sinqertë e më të pashtershëm. Për mua, të shkruash për fëmijët nuk do të thotë të përkulesh për të zbritur në lartësinë e tyre, por të kesh ndjeshmërinë për t’u ngritur në lartësinë e mënyrës së tyre të të ndierit. Pastaj është gjuha. Ndoshta këtu bashkohen më natyrshëm dy dashuritë e mia të mëdha: gjuhësia dhe letërsia. Unë i dëgjoj fëmijët jo vetëm me veshin e shkrimtares, por edhe me kureshtjen e gjuhëtares. Më magjeps mënyra si lind një fjalë në gojën e tyre, si ndryshon kuptimi i saj, si ndërtojnë shprehje të reja, si e përdorin gjuhën për të emërtuar ndjenja që ndonjëherë as vetë nuk i kuptojnë plotësisht. Besoj se një nga gabimet që bëjmë ne, të rriturit, është se shpesh nxitojmë t’u mësojmë fëmijëve si ta shohin botën, pa u ndalur të zbulojmë se si e shohin ata. Unë dua të hyj për pak çaste në botën e tyre, të shoh nga dritarja e tyre, të dëgjoj me veshët e tyre. Dhe sa herë ia arrij, qoftë edhe për një çast, ndiej se kam gjetur fillin e një historie të re.
Libri juaj më i ri është “Shtëpiza qershizë”, botim i “Mediaprint”. Nëse do të ishit një prind që kërkon një libër në librari për fëmijën e tij, çfarë do t’ju bënte të ndalonit pikërisht te ky titull?
Po të isha një prind që kërkon një libër për fëmijën e vet, besoj se fillimisht do të më ndalte titulli:“Shtëpiza qershizë”. Ka diçka të ëmbël, të ngrohtë, pothuajse përkëdhelëse në tingëllimin e tij. Është një titull që të zgjon kureshtjen, por edhe të sjell ndër mend aromën e fëmijërisë, ngjyrat e saj, sigurinë e një shtëpie dhe ngrohtësinë e një përqafimi. Pastaj do të më tërhiqnin ilustrimet e mrekullueshme të Blegina Bezos, ajo botë plot ngjyra, ku dy qershi shndërrohen në një shtëpizë përrallore. Por ajo që do të më bënte ta zgjidhja përfundimisht këtë libër do të ishte mesazhi që fshihet brenda tij. “Shtëpiza qershizë” është historia e një shtëpie që ka gjithçka për të qenë e bukur, por nuk ka askënd për ta dashur. Ajo ka mure, dritare, dyer, pemë dhe lule, por i mungon ajo që e bën një shtëpi të jetë vërtet shtëpi: jeta njerëzore. Dhe pikërisht këtu fillon rrugëtimi emocional i përrallës. Shtëpiza ndien vetminë, trishtimin, braktisjen, pritjen. Derisa një ditë vijnë njerëzit, vjen një familje, vijnë fëmijët me zërat, të qeshurat, lojërat dhe rrëmujën e tyre të bukur. Dhe gjithçka ndryshon. Sepse një shtëpi nuk bëhet e lumtur nga sendet që e mbushin, por nga dashuria që jeton brenda saj. “Shtëpiza qershizë” nuk është vetëm një përrallë për t’u lexuar. Është një libër që e fton fëmijën të bëhet bashkëkrijues. Si shkrimtare dhe si pedagoge, unë besoj se libri më i mirë për një fëmijë nuk është ai që i jep të gjitha përgjigjet, por ai që zgjon tek ai dëshirën për të pyetur, për të menduar dhe për të krijuar. Unë nuk do të doja që një prind ta blinte “Shtëpizën qershizë” vetëm që fëmija i tij të mësonte të lexonte më mirë. Do të doja ta blinte që fëmija të mësonte të ndiente më thellë. Dhe ndoshta, pasi të mbyllte faqen e fundit, të shihte shtëpinë e vet me sy të tjerë e të kuptonte se ajo nuk është thjesht vendi ku jetojmë, por vendi ku mësojmë të duam dhe të na duan. Nëse një fëmijë, pas leximit, do të përqafonte dikë pak më fort, unë do ta quaja këtë suksesin më të bukur të librit tim.
Çdo libër mbart një histori të padukshme, të cilën shpesh vetëm autori e njeh. Cili është momenti më i veçantë apo më domethënës që ju ka shoqëruar gjatë shkrimit të “Shtëpizës qershizë”?
Shtëpia ime. Fëmijët e mi janë rritur dhe kanë marrë udhën e tyre, por shtëpia ime kthehet në një shtëpizë qershizë që derdh pikëza loti sa herë ata kthehen nën tavanin e veshur me dru qershie.

Tashmë “Shtëpiza qershizë” ka mbërritur në duart e lexuesve të vegjël. Cili ka qenë reagimi apo komenti që ju ka prekur më shumë dhe që do ta mbani mend gjatë?
Era, në klasën e tretë, e cila më tha: “Oh, sa e dua këtë libër”. Ai më bëri të ndjeja përtej vetes. Kaq. Ka më sukses se kaq? Shtëpia qershizë ka hyrë aty ku duhet, në shpirtin e Erës.
Përpara këtij botimi, ju bashkë me prof. Shqipe Haxhihyseni, keni sjellë edhe antologjinë për fëmijë “Shkronja mbi fletë”. Çfarë përmban ky botim, si lindi ideja për të dhe çfarë vendi zë ai në krijimtarinë tuaj?
“Shkronja mbi fletë” i punuar në bashkëpunim me kolegen Shqipe Haxhihyseni, është një nga botimet më të dashura për mua, sepse në faqet e tij takohen dy kohë, dy breza fëmijësh dhe dy mënyra të të jetuarit të gjuhës shqipe. Është një antologji që sjell në duart e fëmijëve të sotëm pjesë të përzgjedhura nga abetaret shqipe të një shekulli më parë. Janë tekste që flasin për familjen, fëmijërinë, trupin, punën, mirësinë, marrëdhëniet njerëzore dhe vlerat e jetës. Por mbi të gjitha, janë dëshmi të mënyrës si mendonin, flisnin dhe edukoheshin fëmijët shqiptarë njëqind vjet më parë. Përmes tyre, lexuesi i vogël zbulon jo vetëm një shqipe të dikurshme, me fjalët, shprehjet dhe bukurinë e saj, por edhe një botë fëmijërore që, megjithëse e largët në kohë, ka shumë për t’i thënë fëmijës së sotëm. Nëse do ta përmblidhja me një fjali, do të thosha: “Shkronja mbi fletë” është përpjekja jonë (imja dhe koleges sime) për t’u kthyer fëmijëve të sotëm një pjesë të fëmijërisë së gjyshërve e stërgjyshërve të tyre, jo si një kujtim të pluhurosur, por si një trashëgimi që vazhdon të flasë. Sepse gjuha shqipe nuk është vetëm ajo që flasim sot. Është edhe kujtesa e të gjithë atyre që kanë folur, kanë ëndërruar dhe kanë mësuar përmes saj përpara nesh.

Si pedagoge, gjuhëtare dhe autore, si e shihni raportin e fëmijëve të sotëm me librin, në një kohë kur ekranet duket se po u marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen? Cila do të ishte këshilla juaj për prindërit për t’i afruar fëmijët sërish me magjinë e leximit?
Unë nuk besoj se fëmijët e sotëm e duan librin më pak. Besoj se jetojnë në një botë që ua rrëmben vëmendjen shumë më shpejt. Ekranet u ofrojnë gjithçka të gatshme: figurën, tingullin, lëvizjen, emocionin. Ndërsa libri kërkon diçka tjetër: përqendrim, durim dhe imagjinatë. Ekrani shpesh ia sjell botën fëmijës të gatshme, ndërsa libri e fton ta krijojë vetë atë. Si pedagoge dhe gjuhëtare, e shoh leximin si një nga mënyrat më të fuqishme për të pasuruar gjuhën, për të zhvilluar mendimin kritik dhe, mbi të gjitha, empatinë. Sepse përmes letërsisë fëmija mëson ta shohë botën edhe me sytë e dikujt tjetër. Në klubet e leximit e shoh vazhdimisht se magjia e librit nuk ka humbur. Fëmijët emocionohen, pyesin, kundërshtojnë, imagjinojnë. Mjafton t’u japësh historinë e duhur dhe hapësirën për ta përjetuar. Prindërve do t’u thosha: Mos ua impononi librin si detyrim. Bëjeni pjesë të dashurisë suaj të përditshme. Lexoni bashkë, bisedoni për personazhet, lërini fëmijët të zgjedhin historitë që u pëlqejnë. Dhe, mbi të gjitha, jepuni shembullin tuaj. Nuk mendoj se duhet t’u shpallim luftë ekraneve. Duhet t’u tregojmë fëmijëve se libri u ofron një kënaqësi tjetër, më të ngadaltë, por shumë më të thellë. Sepse fëmijët nuk bien në dashuri me librin kur u themi se duhet të lexojnë. Bien në dashuri kur një histori i bën të ndiejnë diçka që nuk duan ta harrojnë.
