Të njohim autorët tanë: Vasil S. Tole!

Të njohim autorët tanë: Vasil S. Tole!

Kompozitori dhe etnomuzikologu i njohur Vasil S. TOLE ka lindur më 22 nëntor 1963 në Përmet. Ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve; studime postdoktorale në Kompozicion në Folkwang Hoschule-Essen, Gjermani, studime postdoktorale në etnomuzikologji në Universitetin e Athinës.

Ka mbajtur detyra të rëndësishme gjatë karrierës së tij, si, drejtor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, drejtor i Përgjithshëm i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës së Kulturës, Mediave dhe Botimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, sekretar i Përgjithshëm i Akademisë së Shkencave.

Pozicioni i tij aktual është zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Është autor i shumë veprave dhe artikujve në shtypin periodik dhe atë artistiko-shkencor, ku do të përmendim,  “Kompozitori Bojan Adamiç në Shqipëri”, “Kabatë me gërnetë dhe violinë”,  “Trashëgimia shpirtërore e Tiranës në muzikë”, studim + CD, “Sazet e Selimit & Hafizesë dhe Ajdin Leskovikut”, + CD,   “Himni Kombëtar” monografi,  “100 këngë, himne dhe marshe patriotike shqiptare”,  “Pse qanë kuajt e Akilit”, etj..

Është autori i disa teksteve shkollore, si, “Edukimi muzikor”, (për klasa të niveleve të ndryshme), “Historia e Artit-XI”, “Trashëgimia kulturore europiane-XI”, “Trashëgimia jonë kulturore”.

Është vlerësuar me çmime të shumta përgjatë karrierës, ku do të veçojmë titullin “Mjeshtër i madh”  dhënë nga presidenti i Republikës.