Të njohim autorët tanë: Suzana Varvarica Kuka!
Suzana Varvarica Kuka ka lindur në Tiranë, më 19 korrik 1955. Ka kryer studimet në Universitetin e Arteve. Me profesion skulptore, kostumografe, skenografe, regjisore e filmit të animuar, studiuese arti, pedagoge e historisë së artit dhe e disa lëndëve të tjera profesionale të lidhura me artin pamor dhe kuratore.
Ka mbajtur detyra të rëndësishme gjatë jetës, ku do të përmendim; shefe e Sektorit të Studimeve të Veprave të Artit në Galerinë Kombëtare të Arteve, sot Muzeu i Arteve të Bukura, në Tiranë dhe anëtare e Komisionit të Artit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Aktualisht është në pension dhe ushtron veprimtari në fushën e botimeve të librave të artit.
Veprat e saj në skulpturë janë: Pranvera-skulpturë parku në pedonalen e Lushnjës; Ismail Qemali-në godinën e Presidencës së Republikës së Shqipërisë; Padre Pio- në sheshin qendror të qytetit Luzzi, në Itali. Ka realizuar po ashtu 3 skulptura në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ka realizuar dy filma vizatimorë dhe numëron 15 libra, ku në bashkëpunim me Shtëpinë botuese “Mediaprint” ka botuar dy pjesët e para të kolanës “20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë”.