Pse duhet t’u lexosh me zë fëmijëve?
Shpesh prindërit mund ta gjejnë veten në dilemë, nëse ka vërtetë vlerë t’ju lexojnë fëmijëve në moshë të vogël? A i ndihmon kjo gjë në formimin e tyre? Po në lidhjen që ata do të kenë më pas librin?
Kërkimet tregojnë se te fëmijët nën moshën trevjeçare, ndodh një zhvillim i shpejtë i trurit. Veprimet e përditshme të prindërve të tilla, si të lexuarit, të kënduarit dhe shfaqja e dashurisë, mund të luajnë një rol vendimtar për rritjen e shëndetshme të një fëmije. Megjithatë, studimet tregojnë se një pjesë e mirë e prindërve, nuk ju lexojnë çdo ditë fëmijëve të tyre.
Ndërkohë që në raportin e “Becoming a Nation of Readers”, thuhet, “E vetmja veprimtari më e rëndësishme për të ndërtuar njohurinë e nevojshme për të pasur më pas sukses në të lexuar, është t’u lexosh fëmijëve me zë. Kjo vlen veçanërisht gjatë moshës parashkollore”.
Prindërit që u lexojnë me zë fëmijëve do të zhvillojnë tek ata, dëshirën jetëgjatë për të qenë lexues. Do t’u japin një dhuratë të vlefshme – njohuri për njerëz, vende e sende. Leximi mund të jetë i dobishëm për të hedhur themelet e formimit te fëmijët e tyre, për të krijuar një lidhje të ngushtë të karakterizuar nga besimi, respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi.
Leximi duhet të jetë me një ton joserioz, duke e mbajtur atmosferën çlodhëse, të thjeshtë dhe të kënaqshme. Leximi me zë përfshin shumë më tepër sesa thjesht të kthesh në tinguj atë që është e shkruar. Ngrohtësia e zërit mund të ngulitë ndjenjën e sigurisë te çdo fëmijë.
Dobitë janë më të mëdha kur fëmija është një pjesëmarrës aktiv. Librat duhet përzgjedhur me kujdes, në mënyrë që të mbartin mesazhe edukative.
Prindërit që u lexojnë me zë fëmijëve ngulitin tek ata zakone të mira leximi, të cilat do t’u sjellin fryte domethënëse gjatë jetës.