“Mediaprint”, pjesë e Festivalit të 41-të të Kulturës dhe Imigracionit Kulturor në Luksemburg!
Është bukur kur letërsia shqipe promovohet edhe jashtë trojeve shqiptare, pasi ka rëndësi të madhe që shqiptarët kudo që janë të flasin, shkruajnë dhe lexojnë gjuhën e bukur shqipe.
Letërsia shqipe për herë të parë po merr pjesë në Festivalin e 41-të të Kulturës dhe Imigracionit Kulturor, i cili zhvillohet më 24 dhe 25 shkurt në “Luxexpo-the Box”, Luxembourg. Kjo pjesëmarrje u bë e mundur falë shoqatës ILIRI, Shoqata e Shqiptarëve dhe Miqve të Luksemburgut.
Si rrallëherë, në një event prestigjioz në Luksemburg do të jepet një shfaqje teatrale në frëngjisht, gjithashtu në gjuhën shqipe nga libri i përrallave të kryetares së shoqatës “Iliri”, Marsela Bashari, Lazellari.
Në këtë event do të jetë një stendë me libra të gjuhës shqipe nga Shtëpia Botuese “Mediaprint” dhe një stendë për gastronominë shqiptare.
Kryetarja e shoqatës “Iliri”, Marsela Bashari, Lazellari, ka një dashuri të madhe për vendin e saj dhe çdo herë gjen mundësinë për ta promovuar atë. Autorja ka lindur në Pogradec dhe është rritur në shtetin grek, pasi prindërit e saj emigruan në vitin 1995.
Në moshën 19-vjeçare është kthyer në Shqipëri dhe ka ndjekur studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe për Drejtësi. Ka punuar si përkthyese dhe mësuese e gjuhës greke. Tashmë jeton në Luksemburg, ku dhe është kryetare e shoqatës shqiptare “Iliri”. Si autore, por edhe si shoqatë, ka marrë pjesë në panaire dhe evente prestigjioze, ku gjithmonë është prezente me flamurin tonë.