Bisedë interesante me Suzana Varvarica Kukën!
Historia e artit shqiptar – një kolanë për fëmijë dhe të rinj
Njohja me artistët shqiptarë është dije dhe jo kuriozitet, është trashëgimi, krenari se edhe ne kemi artistët tanë të shquar që kanë bërë historinë tonë të artit.
“Libri i dytë nuk është një zgjedhje, por një detyrim i asaj që unë dua të krijoj, një kolanë të historisë së emrave më të shquar të artit shqiptar”, kështu shprehet studiuesja Suzana Varvarica Kuka për botimin e dytë të sapopublikuar, “20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë”. Teksa zhvillon një bisedë me “Mediaprint”, studiuesja zbulon më tepër rreth këtij botimi të dytë, vështirësitë, ndryshimin e tij me të parin dhe pa hezitim ndan ambicien për pjesën e tretë. “20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë” është një libër plot vlera, një trashëgimi e cila duhet të kalojë nga brezi në brez, ndaj studiuesja ka edhe një mesazh për administratat e shkollave shqiptare, për prindërit brenda dhe jashtë vendit, si edhe për mësuesit, që t’i orientojnë fëmijët e të rinjtë drejt kësaj kolane të çmuar..
Pas botimit të parë, ju vini me librin e dytë “Mjeshtrit e hershëm shqiptarë”, përse kjo zgjedhje?
Libri i dytë nuk është një zgjedhje, por një detyrim i asaj që unë dua të krijoj, një kolanë të historisë së emrave më të shquar të artit shqiptar, nga koha e Kolë Idromenos e deri tek artistët e fillim shek. XXI
Çfarë ka ndryshe ky botim në krahasim me të parin, përveç faktit që mjeshtërit e përzgjedhur janë padyshim të tjerë?
Të shkruash një kolanë, e cila përbëhet nga një seri librash ka një mision, një qëllim dhe disa parime që lidhen me përmbajtjen, subjektet dhe elemente estetikë. Ato të gjitha së bashku nuk mund të shkelen. Nëse nga një libër te tjetri, zbatohen të gjitha sa u përmendën më lart nuk ka asnjë ndryshim, përveçse autorëve, fakteve që përbëjnë jetët e tyre historike dhe artistike, vlerën e dallueshme të artit të secilit prej tyre dhe gjurmën imagjinative dhe të qëndrueshme që arti i tyre ka lënë në historinë e artit shqiptar.
Sa e vështirë ka qenë përzgjedhja në këtë pjesë të dytë e “20 mjeshtrave të hershëm” dhe a keni patur dilema gjatë punës suaj?
Po e nis nga fundi. Asnjë dilemë nuk kam patur dhe nuk mund të kem, pasi kërkimet e mia janë jo të çastit, por të një kohe të gjatë e në vazhdimësi, ku krahasimet dhe vlerësimet janë kërkesë e punës sime. Ndërsa vështirësitë në përzgjedhje ekzistojnë. Puna krahasimore vendos se cili artist duhet të jetë i përfshirë në libër, e cili jo. Dhe vendimmarrja nuk vjen përmes dyshimit, por nga përcaktimi i vlerës dhe i qëndrueshmërisë së gjurmëve të artit të artistit në disa kohëra.
Si janë pritur këto dy botime? Dhe nëse mund të na tregoni, ju vetë çfarë pritshmërie keni patur para botimit?
Nëse këta lloj librash nuk i promovon, nuk flet për to dhe nuk komunikon rreth vlerës që kanë, ata heshtin në raftet e librarive. Nëse i çon, përmes promovimit dhe bashkëbisedimit, drejt nxënësve dhe studentëve, prindërve dhe mësuesve, atëherë ata marrin vlerën që iu takon, atë të njohjes me artistët shqiptarë dhe kontributin e tyre në krijimin e atmosferës së historisë së artit shqiptar, e cila ka një zhvillim në kohë shumë më të pakët dhe të shkurtër nga ajo e vendeve të tjera evropiane.
20 mjeshtra të artit të pikturës dhe skulpturës, cilin prej tyre do të veçoni? Kush ju ka lënë më shumë mbresa?
Unë jam studiuese arti dhe nuk mund të bëj klasifikime të tilla. Mund të them se disa emra artistësh, askurrë nuk i ka dëgjuar brezi i ri, por edhe breza të tjerë. Kjo për mua është një kënaqësi, të cilën e veçoj në punën time.
A do të ketë një botim të tretë? Apo keni menduar një kolanë?
Po është një kolanë dhe shpresoj të punoj për librin e tretë, me një brez tjetër artistësh, të një epoke që ne tashmë e kemi prekur dhe e njohim më mirë.
Një libër i dedikuar kryesisht fëmijëve dhe të rinjve, keni një mesazh për ta? (Pse jo ndoshta edhe për prindërit)
Më parë kam një mesazh për administratën ministrore të shkollave shqiptare. Le ta përzgjedhin këtë kolanë për ta pasur në bibliotekat e çdo shkolle, ku mësuesi dhe nxënësi të ketë kontakt me të. Prindër, vizitoni libraritë dhe zgjidhini dy librat e artit. Orientojini fëmijët tuaj duke i lexuar së bashku, pasi njohuritë do të jenë të vlefshme si për ju dhe për fëmijën tuaj. Njohja me artistët shqiptarë, veprën dhe jetën e tyre është një vlerë e pashmangshme, është dije dhe jo kuriozitet, është trashëgimi e cila duhet të përcillet nga një brez te tjetri, është krenari, sepse dhe ne, si popull kemi artistët tanë të shquar që kanë bërë historinë tonë të artit. Gjithashtu kam një mesazh edhe diasporën apo për prindërit shqiptarë, që jetojnë jashtë atdheut. Mos nguroni t’i blini dy librat e artit për fëmijët tuaj. Ju më parë si prindër, do të krenoheni dhe më pas fëmija juaj do të njohë një nga pjesët më të mira të vendorigjinës së tij, që lidhet me artistët që kontribuan në ngritjen e një sistemi arti dhe kulturës figurative të vendlindjes së prindërve të tyre.