Xhahid Bushati, udhërrëfyesi që më mësoi të lexoj më thellë!
Një shkrim nga studiuesi i ri Flori Kasaj mbi veprën studimore “Ku frymojnë ëndrrat fëminore”
Teksa lexoj çdo ditë shkrimet e Xhahid Bushatit në profilin e tij në facebook, e ndiej se çdo lexim më mëson diçka të re. Shkrimet e tij përmbajnë vlerësim kritik, analizë të thelluar, madje depërtojnë në qelizën më të imët të fjalës. Çdo ditë që lexoj, afrohem magnetikisht me botën krijuese të Xhahidit, që tashmë për mua është një model frymëzimi dhe reference.
Profesor Xhahidi, shkrimtar i kahershëm, ka edukuar breza me radhë me një numër të madh botimesh. Unë kam mundur të lexoj vetëm disa prej tyre. Sot dua të ndalem te një vepër me peshë të veçantë, “Ku frymojnë ëndrrat fëminore”, i botuar nga Mediaprint, Tiranë. Kjo vepër studimore, është punuar me mjeshtëri dhe me fjalë të qëmtuar me kujdes, duke bërë bashkë 58 poetë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj.
Në botën e poezisë për fëmijë dhe të rinj, ku autorë të ndryshëm të letërsisë shqipe vijnë përmes analizës së kujdesshme të studiuesit. Me një gjuhë të pasur dhe me një vështrim kritik serioz e profesional, Xhahid Bushati arrin të nxjerrë në pah vlerat, veçantitë dhe kontributin e secilit poet në këtë zhanër të rëndësishme të letërsisë. Ai analizon dhe rikthen në vëmendje një pasuri të madhe krijuese, që ushqen imagjinatën dhe botën shpirtërore të fëmijëve. Përmes këtij studimi, lexuesi kupton se sa e rëndësishme është letërsia për fëmijë dhe sa shumë përkushtim e përgjegjësi kërkon krijimi për botën e tyre.
“Ku frymojnë ëndrrat fëminore” mbetet një kontribut i vyer në studimet letrare shqiptare dhe një udhërrëfyes për këdo që dëshiron të njohë më thellë poezinë për fëmijë dhe të rinj. Nuk po shkruaj më tej, sepse kjo vepër flet vetë dhe nuk ka nevojë për një tjetër analizë mbi një studim kaq të kopsitur profesionalisht.
Për këdo, që dëshiron ta zbulojë vetë këtë thesar, të mësojë dhe të shijojë leximin e tij, rekomandoj me bindje ta bëjë pjesë të bibliotekës së tij.
20 mars 2026
