Një takim i bukur letrar me dy shkrimtaret Sonila Strakosha dhe Rovena Rrozhani!
Pasditen e kësaj të mërkure, më 17 janar, u mbajt një aktivitet letrar në librarinë “Tirana Times” në Tiranë. Pjesë e këtij takimi, i cili u moderua nga kritikja letrare Anna Lattanzi dhe drejtuesja e Shtëpisë Botuese “Mediaprint” Anila Bisha, ishin dy shkrimtaret Sonila Strakosha dhe Rovena Rrozhani, të cilat ndan përvojën e tyre të të shkruarit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin autorë librash, mësues, por edhe nxënës, të cilët me kërshëri dëgjuan atë çka dy shkrimtaret zgjodhën të ndanin me ta.
Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e librit, për procesin e të krijuarit, emocionet, privilegjin dhe përgjegjësinë e krijimit, mbi rëndësinë që ka veçanërisht sot lidhja me librin dhe leximin, sidomos te fëmijët dhe brezat e rinj. Sonila Strakosha dhe Rovena Rrozhani u ndalën edhe te librat e tyre dhe treguan atë që kanë dashur t’u shprehin e përcjellin lexuesve të cilëve u drejtohen.
Sonila Strakosha, e cila ka shkruar libra në gjuhën shqipe dhe italiane, ndau eksperiencën e saj duke treguar diferencën mes shtëpisë botuese në Itali, të cilën e cilësoi profesionale por gjatë krijimit të librit nuk pati asnjë takim me ta përveçse në “Panairin e Librit” pasi libri ishte botuar, dhe shtëpisë botuese “Mediaprint”, për të cilin theksoi se procesi i botimit të librit ishte më intim, takimi me drejtuesen dhe vajzat e stafit ishte tejet i ngrohtë, frymëzues dhe profesional.
Ndërkohë Rovena Rrozhani u ndal te fakti se është shumë e rëndësishme që shpërndarja e librave në gjuhën shqipe të mos jetë vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë tij. Ndërsa në lidhje me përkthimet e librave shqip në gjuhë të huaj, autorja u shpreh se kjo kërkon më shumë punë, pasi duhet të njohësh shumë mirë gjuhën shqipe, e cila edhe pse shumë e bukur është shumë e ‘vogël’ në krahasim me gjuhët e tjera.
Ky aktivitet u organizua nga revista online “Albania Letteraria”, shoqata italo-shqiptare “Dora e Pajtimit”, Qendra Kulturore “Slow Mill”, në bashkëpunim edhe me Shtëpinë Botuese “Mediaprint”.
Aktivitetet u mbështetet edhe nga “Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit” (OIM).