“Nëse do të ishim dorëzuar para natyrës, do të ishim ende në epokën e gurit” – Prof. Ruka për të ardhmen transhumane!

“Nëse do të ishim dorëzuar para natyrës, do të ishim ende në epokën e gurit” – Prof. Ruka për të ardhmen transhumane!

Profesor Ethem Ruka ishte i ftuar në emisionin “Wake Up”, ku foli për ribotimin e librit të tij “Transhumanizmi – Përtej njeriut – A mund ta shkruajmë librin e jetës?”. Ky ribotim vjen në një kohë kur shumë prej pyetjeve që ai ka shtruar në botimin e parë janë bërë pjesë e debatit aktual global mbi njeriun, teknologjinë dhe të ardhmen e evolucionit njerëzor. Me një qasje vizionare, profesori i ka paraprirë zhvillimeve që sot janë në qendër të vëmendjes, duke e bërë këtë libër më aktual se kurrë.

Në intervistë, Prof. Ruka theksoi se teknologjia na ka bërë zotër të vetes dhe të biologjisë sonë. Sot, nuk mund t’ia lëmë më fatin tonë vetëm natyrës, duhet ta marrim në dorë vetë. Kjo është edhe filozofia thelbësore e transhumanizmit: përmirësojmë teknologjinë, por nga ana tjetër, teknologjia tashmë synon të përmirësojë vetë njeriun.

Ai trajtoi edhe përplasjen midis dy rrymave: njëra që e përqafon përparimin dhe një tjetër, konservatore, që beson se nuk duhet prekur rendi natyror i gjërave. “Nëse do t’i kishim lënë gjërat në duart e fatit natyror, do të ishim ende në epokën e gurit”, tha ai. Përparimi është pjesë e natyrës njerëzore dhe ëndrra për të përmirësuar veten është sa e vjetër, aq edhe e fuqishme.

Sot, falë bioteknologjisë, njeriu ka në dorë mjete që dikur i përkisnin vetëm imagjinatës. ADN-ja mund të zbërthehet, defektet gjenetike mund të korrigjohen, njësoj si kur korrigjohet një gabim në një tekst. Edhe tiparet gjenetike që dikur ishin fatale, sot mund të zëvendësohen apo riparohen.

Ky është vizioni që sjell profesori në ribotimin e tij: një shoqëri që nuk i nënshtrohet më verbërisht natyrës, por e sfidon atë – me dije, me guxim dhe me përgjegjësi.