Mendime të vyera nga Prof. Dhurata Shehri!
“Abetarja Mbarëkombëtare” është si një udhëtim magjepsës në gjuhën e bukur shqipe ku mësimi, fantazia dhe imagjinata fëminore gërshetohen së bashku, për ta shndërruar përvojën e punës me të në një aventurë të paharrueshme.
Dhurata Shehri, një nga autoret e “Abetares Mbarëkombëtare”, në një bisedë të shkurtër me Shtëpinë Botuese “Mediaprint” ka dhënë mendimin e saj për rëndësinë e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, veçanërisht për gjuhën shqipe. Gjithashtu zbulon se si lindi ideja për krijimin e “Abetares Mbarëkombëtare” dhe se pse prindërit duhet ta zgjedhin atë për të vegjlit e tyre.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare; cila është rëndësia e kësaj dite, veçanërisht për gjuhën shqipe?
Gjuha shqipe është një gjuhë njësoj si gjithë gjuhët e tjera. Një gjuhë që shërben për komunikimin dhe siç çdo gjuhë tjetër, shërben për të gjitha llojet e komunikimit, por ajo për të cilat nuk mund t’i bëjmë më mirë se sa me gjuhën tonë, është të urojmë, të qajmë, të qeshim, të këndojmë, dhe normalisht nëse të rinjtë sot, një pjesë të këtyre gjërave, i bëjnë në gjuhë tjetër, në gjuhë të tjera, në globalishten e sotme, prapë se prapë gjuha amtare mbetet gjuha e familjes, për të cilën ende në shoqërinë shqiptare mbetet një gjë fort e shquar dhe fort e rëndësishme.
Si lindi ideja për krijimin e “Abetares Mbarëkombëtare”, për të gjithë ata që nuk e dinë?
Ideja e abetares lindi si një mundësi që fëmijët shqiptarë, fëmijët e vegjël shqiptarë, të kalonin në shekullin e XXI, për të ndërtuar një abetare në të cilën nuk do ta shikonin veten shumë të ndryshëm nga moshatarët e tyre, në të gjitha gjuhët e tjera. Nuk do të ishte një abetare, e cila do të ndjehej si detyrim për ta mësuar gjuhën, por njëkohësisht ajo të ndihej si argëtim, si një lojë e fantazisë dhe si një mundësi për të komunikuar me njëri-tjetrin, në të njëjtën mënyrë që komunikojnë të gjithë fëmijët e së njëjtës moshë, në të gjitha vendet e ndryshme të botës.
Pse prindërit e mësuesit duhet të zgjedhin këtë abetare?
Për t’ua mësuar fëmijëve të tyre gjuhën si komunikim, por pikë së pari si një komunikim i natyrshëm, i cili në thelbin e vet ka elemente të rëndësishme të moshës minore dhe ndër më kryesoret konceptin e fantazisë, është si një përrallë e vogël e cila zgjat gjithë vitin, me anë të së cilës fëmijët mësojnë se si të luajnë me fantazinë, të luajnë me shkronjat, të krijojnë imazhe duke u nisur nga përfytyrimi i tyre fëminor. Është ndoshta më e vështirë për prindërit dhe mësuesit ta lexojnë këtë libër, por ju siguroj që do të jetë shumë e lehtë për fëmijët tuaj.