Lexuesit e mi, frymëzimi për të shkruar

Intervistë me shkrimtaren e letërsisë për fëmijë Rovena Rrozhani

Kur ka kaluar pak më shumë se një vit nga suksesi i arritur me “Fani në kërkim të dritës” vini për lexuesit e vegjël me një botim të ri “Tullumbacja e bardhë”. Çfarë sjell ndryshe Rovena për lexuesit?
Një përrallë të re, një histori ku aventura dhe humori bashkohen në shtratin e një motivi popullor. Është historia e një vajze, Lilit, e cila niset për të kërkuar tullumbacen e humbur. Dhe këtë herë fokusi nuk është nëse e gjen apo jo, por çfarë bën pasi e gjen tullumbacen. E dua shumë këtë libër. E kam mbajtur pak më gjatë në duar, por edhe ka kaluar në disa vështirësi derisa është realizuar. Edhe ilustrimet e këtij libri janë ndryshe nga librat e tjerë, përcjellin më së miri notat e humorit që përmban historia.
Është një përrallë që nis me mendjen dhe mbaron me shpirtin, ashtu sikurse është gatuar njeriu që në fillim të jetës së tij. Loja është gjithashtu pjesë e këtij libri.

Edhe në librin “Rozi dhe domatja kërcimtare” ju propozoni lojën nëpërmjet leximit. Përse ju tërheq kaq shumë?
Është forma më e bukur për ta bërë rrëfimin në 3D, pra për të mos lexuar vetëm librin, por edhe për ta shndërruar në një formë loje ku zbavitja dhe mësimi bëhen bashkë. Është si një histori aktive, që nuk mbetet në letër, por i jep mundësinë lexuesit që ta zhvillojë, ta vazhdojë, ta ndryshojë. Si legjendat, përrallat e treguara ndër shekuj. Ato kalojnë nga një rrëfimtar te tjetri duke ndryshuar e duke krijuar variante të ndryshme të një historie. Është një formë për të nxitur aftësinë krijuese të fëmijëve. Sigurisht që unë nuk e sjell këtë sugjerim apo koncept në një formë të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet rrëfimit të historisë që shkruaj.

Në librat e tu ka shumë motive që lidhen nga një botim në tjetrin. Por njëri prej tyre që i bashkon thuajse të gjithë sa keni publikuar deri më sot është miqësia. Duket sikur kjo vlen më shumë se çdo gjë tjetër.
Unë besoj te miqësia. Për fat të keq shoqëria e sotme e ka bjerrë këtë ndjenjë të  bukur. Ndaj dua që fëmijët ta kenë të fortë ndjenjën e miqësisë, dua që të kuptojnë se lumturia dhe gëzimi vjen edhe kur bën të lumtur dhe të gëzuar një mik, një mike, një shok apo një shoqe. Njeriu nuk mund të gëzojë i vetëm edhe sikur të ketë të gjitha të mirat e botës. Thesari i njeriut nuk është paraja, edhe pse ajo sot ofron mundësinë e një jete më të mirë. Thesari i vërtetë është njeriu tek i cili mbështetesh dhe e mbështet, njeriu që të dëgjon dhe e dëgjon, ai që të uron dhe të ngushëllon e po aq i gatshëm je dhe ti për t’i ofruar supin qoftë edhe për të qarë. Unë do të vazhdoj të besoj se miqësia i bën njerëzit më të mirë, po aq sa edhe dashuria. E kam miqësinë te “Lëndina e arushëve”, “Fani në kërkim të dritës”, “Tullumbacja e bardhë” dhe “Po vjen babagjyshi”. Dhe besoj se do ta ruaj si motiv edhe te librat e mi të ardhshëm. Ndoshta nuk do të jetë një motiv kryesor, por padyshim që do të plotësojë shtratin e rrëfimit bashkë me motivet e tjera.

Personazhet tuaja kryesore janë thuajse vajza. Është një zgjedhje apo rastësi?
Zgjedhje padyshim. Kam dashur të vë në fokus vajzat për të dhënë një dimension ndryshe nga ato të përrallave klasike, duke sjellë vajza të zgjuara dhe të guximshme. Kështu është Fani, Lili, dhe Hana, të cilat përpiqen të kalojnë sfidat e tyre. Fani kërkon të jetë si të tjerët, por në fund kupton se njerëzit ndryshe mund jenë edhe më të aftë se të tjerët, Lili përllogarit shumë situatat dhe me zgjuarsi arrin deri në fund të misionit të saj kërkues, ndërsa Hana e zgjuar dhe e guximshme i bën ballë xhindit. Kemi nevojë të nxisim vajzat që të dalin nga modelet e vjetra të princeshave pasive. Kështu janë edhe disa heroina të tjera në dorëshkrimet e mia. Dhe po ashtu djemtë duhet të mendojnë me po aq vlerësim për shoqet e tyre. Në fakt nuk i kam përjashtuar djemtë. Te “Lëndina e arushëve” personazhi është një djalë edhe pse ai nuk është personazhi kryesor. Dhe në një tjetër dorëshkrim mendoj se do të kem një personazh djalë. Të gjithë së bashku, vajza dhe djem duhet të kuptojnë se në këtë botë plotësojnë më së mirë dhe në mënyrë të barabartë njëri-tjetrin.

Ne krijimet e tua duket se je fokusuar në gjininë e përrallës. Edhe kjo është një zgjedhje e qëllimshme?
Unë e dua përrallën. Është toka e fantazisë dhe e realitetit, është vendi pa kohë dhe koordinata, ku gjithçka mund të ndodhë. Më thoni një njeri që nuk do ta kishte zili të jetonte në këtë botë qoftë edhe një ditë në vit. Dhe nuk po flas vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Po kaq e bukur sa është, aq e vështirë është që krijohet, është thuajse një sfidë më vete.

Është më e lehtë të shkruash për fëmijë apo për të rritur?
Për fëmijë është shumë më e vështirë që të shkruash, padyshim. Është si të bësh akrobaci mbi një litar. Duhet të mbash baraspeshë midis fantazisë dhe realitetit, argëtimit dhe informacionit, ndjenjës dhe moralit dhe padyshim të ulurit në botën e fëmijëve. Edhe një puhizë e lehtë mund të të dridhë këmbët dhe të gjendesh e rrëzuar përtokë.

Cili është sekreti i ekuilibrit?
Nuk jam shumë e sigurt për ta përcaktuar të mesmen e artë, por e synoj për çdo herë. Jetoj e fantazoj dhe përpiqem që këto t’i përfshij në krijimet e mia. Pastaj kur libri i bën për vete lexuesit, kupton se nuk je rrëzuar, përkundrazi ia ke dalë mbanë të shkosh deri në fund të udhëtimit, në anën tjetër të litarit.

Si është letërsia e sotme për fëmijë?
Nuk dua të gjykoj sepse nuk më takon përsa kohë jam brenda kësaj letërsie. Por mendoj se gjërat kanë ndryshuar disi. Natyrisht ka shumë për të qenë edhe më mirë. Duhet të plotësohet një brez i ri shkrimtarësh por edhe ilustruesish. Duhet ecur më shumë akoma me botimet, si produkt, duke u përpjekur që të sillen edhe tendenca të reja ashtu si ndodh në botë. Por e rëndësishme është që nuk ka më një vendnumëro, por një lëvizje që do të vlerësohet më mirë pas një 5-vjeçari. Duhet kohë që të përtypen librat dhe shkrimtarët e rinj. Vërej reagimet e lexuesve për librat e mi të mëparshëm dhe befasohem kur gjej mes fëmijëve që nuk i kam takuar kurrë, fansa të librave. Është frymëzuese pasi në kushtet ku kritika letrare për letërsinë aktuale shqipe për fëmijë thuajse mungon, gjykimi i lexuesit është vlerë dhe orientim mjaft i mirë për autorët dhe botuesit.

Si duhet të zgjedhin prindërit librat për fëmijët e tyre?
Në radhë të parë, fëmijët duhet të jenë pjesë e vendimit për të blerë një libër. Nuk mund të mohosh dëshirën e tyre kur duan të blejnë një libër edhe pse ai mund të duket i vështirë për moshën e tyre. Sugjeroj që prindërit të shohin me kujdes përmbajtjen, të mbajnë në fokus çfarë kanë interes fëmijët e tyre, por edhe shohin se cilët libra do të zhvillonin më shumë apo do ta plotësonin botën e tij. Mbi të gjitha do të sugjeroja që t’u lexojnë fëmijëve që në moshë të vogël dhe të mos mjaftohen vetëm me botime didaktike, të cilat kanë sigurisht rëndësinë e tyre, por nuk mund të zëvendësojnë aspak botimet letrare. Nëse leximi bëhet kulturë që në moshë të vogël, atëherë do të kemi lexues të formuar dhe të zgjuar që do të dinë të zgjedhin vetë librat që duan të lexojnë.

Rr. "Brigada VIII", Kati II Kutia postare 7467 Tiranë +355694044443 botime@mediaprint.al

    '