Intervistë me Irena Shabanin: Leximi, një oazë ku ritmi i shpejtë i jetës nuk ka akses!
Nga Anita Aliaj
“Leximi, për mua, mbetet një kohë personale dhe e shenjtë, një oazë ku ritmi i shpejtë i jetës nuk ka akses”, – Irena Shabani
Gazetarja e njohur Irena Shabani vjen për lexuesit shqiptar me një roman që të rrëmben nga faqja e parë deri në fund, një histori frymëzuese ku sakrifica e personazhit kryesor shkon përtej njerëzores. Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë kur lexuesve u serviren vepra të mira, të shkruara bukur në gjuhën shqipe, që jo vetëm rrëfejnë histori, por edhe zgjojnë ndjesi dhe dhurojnë emocione. Në një bisedë me “Mediaprint”, autorja flet jo vetëm për romanin e saj, por edhe për leximin, për ndikimin e prindërve, për mënyrën se si është kujdesur që i biri të qëndrojë sa më larg teknologjisë dhe të lidhet ngushtë me librat, për moton e jetës së saj dhe rëndësinë e madhe që ka përpjekja për të qenë çdo ditë versioni më i mirë i vetes.
“Kush Qau në Parajsë”, çfarë do të thotë ky libër për ty?
Ky roman është i bazuar në një ngjarje të vërtetë. Kur gruaja që ndërmori një akt çmendurie duke thyer ligjin për të shpëtuar një jetë ma rrëfeu historinë e saj, më la pa fjalë. Ishte një histori përtej njerëzores. Në ato momente mendova për heronjtë dhe për atë se çfarë janë në të vërtetë ata. Heronjtë nuk janë gjithmonë figura të jashtëzakonshme; shpesh janë njerëz të zakonshëm që, në rrethana të pamundura, kapërcejnë logjikën dhe zgjedhin të bëjnë atë që besojnë se ka më shumë vlerë se vetë ligji. Ky libër për mua është një krijim që ka lindur nga dashuria për njeriun, dhe dashuria është filli që e udhëheq të gjithë veprën. I kam besuar lexuesit dhe ndjesive të tij. Disa lexues më kanë thënë se e kanë lexuar librin me një frymë, ndërsa të tjerë kanë pasur nevojë për më shumë kohë, sepse historia i ka kthyer pas në një periudhë të vështirë shoqërore, por edhe personale. Jam përpjekur që dhimbjen të mos e shfaq si spektakël, por si një përvojë të brendshme, që sa është e përmbajtur, aq është edhe dinjitoze. Jam ndjerë mirë kur lexues kanë njësuar personazhet me njerëz që kanë njohur në jetën e tyre, sepse kjo më ka bërë të kuptoj se kam arritur të përcjell një ndjenjë vërtetësie në roman.
Cila ka qenë ndihma dhe vështirësia më e madhe gjatë shkrimit të një romani të bazuar në ngjarje të vërteta?
Kur shkruan një libër të bazuar mbi ngjarje të vërteta, ndjen një detyrim të thellë moral për të treguar të vërtetën ashtu siç ka ndodhur. Doja të isha besnike ndaj realitetit dhe ndaj kujtimeve të asaj kohe. Gërmova shumë në gazetat e periudhës dhe kuptova se, ndërsa historia kryesore ishte e qartë, ngjarjet e lidhura me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, në vijë të dytë, i jepnin rrëfimit një dimension të pabesueshëm, por të vërtetë. Arsyeja që iu referova mediave të vitit 1996 ishte që të mos lejoja kujtesën time të luante me faktet ose t’i ndryshonte ato. Kujtesa jonë nuk është gjithmonë besnike. Një histori nuk tregohet kurrë dy herë njëlloj; ajo ndryshon nën drita të ndryshme dhe sipas emocioneve që mbartim. Për këtë arsye zgjodha gazetën “Koha Jonë”, më të madhen e asaj periudhe, jo si kolona mbështetëse, por si trarë që lidhin historinë kryesore. Madhështia e aktit të Sofisë nuk do të kuptohej pa kuptuar errësirën e asaj periudhe të historisë shqiptare: ku shpresa flinte në të njëjtin shtrat me zhgënjimin, ku iluzionet gëlltiteshin nga realiteti, ku jeta rrinte në fije të perit dhe vdekja priste poshtë. Viti 1996 ishte një kohë e trazuar. Shqipëria sapo kishte hyrë në demokraci, por kjo demokraci kishte kufij dhe shpesh i ngjante më shumë diktaturës sesa lirisë. Një lexues më tha se kishte harruar ngjarjet e asaj periudhe. Kjo më bëri të kuptoj fuqinë e harresës: jo si fshirje e së shkuarës, por si shërim i shpirtit nga plagët e jetës. Doja që një lexues i ri, i vitit 2026 apo 2105, të përdorte këtë libër si udhërrëfyes të kohës ashtu siç kam bërë vetë kur kam lexuar libra të shkruar qindra vite më parë. Shkrimtarët janë historianë të mendimit dhe, si të tillë, kanë detyrim të jenë besnikë ndaj së vërtetës.
Pse lexuesit duhet ta zgjedhin “Kush Qau në Parajsë”?
Sepse çdo lexues ka nevojë për shpresë, dhe në një botë kaotike, duhet të fokusohet te njerëzorja. Ky roman është një akt dashurie, dhe unë besoj thellësisht se dashuria mban botën në shina; ajo është si një rojtare e heshtur e kaosit. Jam e sigurt që në shumë momente jashtë ekzistojnë dhjetëra njerëz të çmendur që do të donin t’i vinin flakën botës, dhe historia ka treguar se jo rrallë, kush ka mundur të shpërfaqë të keqen, e ka bërë. Por një akt i thjeshtë dashurie dhe sakrifice, si ai i personazhit tim qendror, tregon atë që nuk mund ta shpjegojmë me fjalë: natyrën e njeriut për të qenë pranë tjetrit, për të dashuruar dhe për të vazhduar përpara. Nevoja për të dashur është biologjike, dhe ky fakt e bën dashurinë universale dhe të prekshme për çdo kohë dhe vend.
Ky botim vjen si një dedikim për prindërit; mund të ndash diçka më shumë me ne?
Prindërit janë ata që na hapin rrugën. Kur jemi fëmijë, shohim vetëm sigurinë dhe hapësirën që na rrethon, dhe mendojmë se gjithçka është e lehtë. Me kalimin e kohës kuptojmë se terreni ku ecim, që na dukej i butë, ka qenë i vështirë dhe i ashpër, por ata e hapën atë për ne. Këtë e kuptojmë vetëm kur përballemi me shtigje të panjohura, që nuk dimë nëse do na çojnë në rrugë të madhe apo drejt humnerës. Im atë ishte dera ime e hapur në një librari; ai përpiqej që unë të luaja shah, por koha për leximin, që e doja më shumë, më pengonte. Çdo muaj më blinte libra, dhe ndjenja kur mi vendoste mbi tavolinë ishte e papërsëritshme. Mamaja ime ishte mësuesja ime e parë; ndihesha e privilegjuar, jo pse më privilegjonte mua, por sepse i mësonte të gjithë shokët e mi. Mendimi se asnjë fëmijë nuk mund të arrijë kurrë dashurinë e plotë të prindit, mbetet ndoshta pengu më i madh dhe njëkohësisht dhurata më e madhe, sepse ajo na mëson të vlerësojmë çdo gjurmë të dashurisë së tyre.
Si e sheh sot marrëdhënien e lexuesit shqiptar me librin në gjuhën shqipe?
Unë besoj se ka lexues shumë të mirë, edhe pse ndoshta nuk lexohet më aq shumë sa 10 ose 20 vite më parë. Kam hasur shpesh njerëz që më kanë thënë se prej vitesh nuk lexojnë letërsi shqipe, dhe kam ndjerë një fitore të vogël kur ata kanë marrë në dorë librin tim dhe e kanë lexuar. Pse ekziston një kontradiktë mes lexuesit shqiptar dhe letërsisë shqipe, nuk mund ta them me siguri. Shumë lexues shprehen se ka shumë marketing për libra të dobët, që shiten kryesisht për shkak të emrit të autorit. Prandaj mendoj se lexuesi është gjykatësi më i mirë. Pavarësisht truqeve të marketingut, koha tregon vlerën e një libri dhe të autorit. Autori duhet të shkruajë për lexuesin që do të lexojë me vëmendje, jo për një lexues që e blen librin thjesht i tërhequr nga buja e momentit. Një autor i mirë është i lidhur ngushtë me fatin e letërsisë së tij. Shqipëria ka një treg të vogël dhe shpesh xhelozi të madhe, por për një shkrimtar të vërtetë ka vend në çdo kohë.
Çfarë këshille i jep djalit tënd në lidhje me leximin?
Im bir është shumë i vogël dhe këshillat pothuaj nuk pinë ujë fare. Si çdo fëmijë, i bindet prindit dhe herë pas here bie në grackën e peshkimit emocional. Unë e vuaj botën online, e shoh si grabitëse të fëmijërisë, që shpesh i rrëmben kohën dhe imagjinatën. Edhe e shoh sesa i etur është të afrohet pranë një fëmije që luan online. Mendoj se deri më sot ia kam dal ta mbaj larg mjaftueshëm prej internetit. Prindi mund të jetë katalizatori që ndez dashurinë për leximin te fëmija. Çdo natë, para gjumit, ai ndërton një skenar përmes përrallës: i vë numra episodeve dhe më kërkon të fantazoj; unë i jap një ide, dhe ai fle duke ëndërruar, duke zhvilluar botë të tijën të brendshme dhe të paprekshme nga ekranet.
Ke ndjekur një rutinë me të për ta afruar me librat dhe leximin? Nëse po, a mund ta ndash me ne?
I kam blerë libra që kur ishte bebe dhe ia kam lexuar. Tani lexojmë së bashku edhe tekste të vogla që ai mund t’i lexojë vetë. Janë tekste jo të gjata që mos të ndihet i sfilitur pas leximit, por të pasura me fjalë të reja. Ai mëson dhe qesh herë pas here. Kam zgjedhur libra që nxisin të qeshurën, sepse kjo i bën mirë atij dhe, ndonjëherë, edhe mua vetë kur e dëgjoj të qeshë.
Kur ka nisur lidhja jote me leximin dhe a ka ndryshuar kjo marrëdhënie me kalimin e kohës dhe me ritmin e shpejtë të jetës?
Siç ju thashë, lidhja ime me leximin ka nisur shumë herët brenda meje. Që nga klasa e tretë, e kujtoj veten si një “ngrënëse librash”, gjithmonë e zhytur në botëra të tjera, dhe që atëherë nuk kam ndaluar kurrë. Megjithatë, gjatë 10 viteve të fundit kam ulur ritmin e leximit. Truri ynë, si një kompjuter i mbingarkuar, nuk ka më kohën e bollshme të dikurshme për të udhëtuar pa nxitim mes faqeve. Kam mësuar të lexoj më pak, por me një fokus më të thellë. Gjithmonë kujdesem që të kem libra të palexuar në bibliotekë, sepse një ditë ata do të më thërrasin. Gjatë periudhave kur vetë jam duke shkruar, lexoj më pak, për të mbrojtur rrëfimin dhe për ta ruajtur atë sa më të kthjellët dhe të fuqishëm. Leximi, për mua, mbetet një kohë personale dhe e shenjtë, një oazë ku ritmi i shpejtë i jetës nuk ka akses.
A je duke punuar aktualisht për një roman tjetër?
Po, prej disa muajsh po punoj mbi një histori për të cilën kam lexuar dhjetëra dosje që dokumentojnë abuzime seksuale ndaj adoleshenteve. Tashmë e di rrjedhën e librit dhe sesi do të zhvillohet çdo detaj, por, në ndryshim nga Kush Qau në Parajsë, po e shkruaj ngadalë, duke ripërtypur çdo moment në mendje. Kam zgjedhur këtë temë me qëllim të qartë: gjatë punës sime si gazetare kam parë vajza që humbisnin veten nga mungesa e komunikimit dhe nga frika se çfarë do të ndodhte nëse prindërit do ta merrnin vesh. Por adoleshentët duhet të kuptojnë se prindi, si në të mirën, ashtu edhe në të keqen, është aty dhe nuk do t’i refuzojë kurrë, sado i lënduar të jetë. Dua që lexuesit e rinj të kuptojnë se nuk janë vetëm, se të folurit dhe dëgjuarit nga prindërit apo të rriturit mund t’i shpëtojë nga situata të vështira, dhe se libri synon të hapë një dritare për ta kuptuar këtë.
Në librin tënd shkruan: “Sekreti i të jetuarit janë gjërat e vogla…”, po sekreti yt personal cili është?
Unë jam një njeri pa shumë sekrete. Me kalimin e kohës kam mësuar të pranoj të gjithë, të mos çuditem nga e keqja dhe të mos mahnitem nga e mira. Duke lënë jashtë zemrës sime çdo gjë që më ka cenuar, kërcënuar apo dëmtuar, kam jetuar më mirë. Në fund të fundit, secili hyn në luftë me armët që ka; disa janë zotër të së keqes. Më jep më shumë qetësi kur nuk e bëj pjesë të jetës sime opinionin e të tjerëve. Në shumë raste, as nuk jam e interesuar ta di atë. Me kalimin e viteve, te njeriu aktivizohet një mekanizëm mbrojtës. Ky mekanizëm vlerëson çdo detaj, dhe kur ti e di çfarë të ofron një njeri, jo me fjalë, por me vepra nuk ke më iluzione.
Cila është motoja që të udhëheq në jetë?
Çdo ditë përpiqem të bëhem një version më i mirë i vetes. Jo për t’u krahasuar me të tjerët, jo për të fituar miratimin e botës, por sepse çdo njeri ka një rol unik dhe roli që kam unë mban emrin tim. Duke e jetuar atë me vërtetësi, kam mundësinë të shkëlqej në mënyrën që vetëm unë mund ta bëj.
