Dy fjalë për romanin “Gjëra që ngjasin”, të shkrimtarit Ylljet Aliçka
Nga Av. Alfred Duka
Romani i fundit “Gjëra që ngjasin” i shkrimtarit të mirënjohur Ylljet Aliçka, në vlerësimin tim modest, më erdhi si një narrative rrëfyer prej një mjeshtri të fazës dhe tekstit, i cili më shumë se sa ajo që shkruan, e shqetëson, pritja që do ti bëjë lexuesi, shqetësim i cili të shoqëron deri në epilog, dhe nga ana tjetër duke e vendosur veten si mediator ndërmjet ngjarjes dhe vetë lexuesit, kërkon që me çdo kusht të mos e humbë, as të mos e zhgënjejë atë.
Mendoj se këtij qëllimi të supozuar, ia ka mbërritur, duke ruajtur raportet e duhura ndërmjet situatave konkrete, dialogjeve të kursyera, si dhe përshkrimeve që e tërheqin lexuesin.
Por ka edhe një vështrim retrospektivë, të ngjarjeve, të aktualizuara me mjeshtërinë e të komunikuarit, duke nxjerrë në pah në mënyrë sarkastike, natyrën manovruese, për të mos thënë mashtruese të refugjatëve tanë, në perëndim në ato fillime, të cilët, nuk kursejnë improvizime pa fund, me qëllimin e përfitimit të statusit të tyre, nëpërmjet mashtrimeve, të cilat gjithsesi të lënë atë shijen e të lexuarit me kënaqësi, në prologut të romanit, duke lënë të kuptohet se dëgjuesit e mbroçkullave që kishin në dorë fatin e tyre, i gëlltitnin me kënaqësi mashtrimet kopje pas kopjesh që këpusnin. Pastaj i vjen radha, kompensimit, i cili shfaqet në formën e interesimin të një TV të atij vendi, për të realizuar një emision me objekt Kanunin në lidhje me gjakmarrjen, të shfaqur nëpërmjet ngujimit në Kullën e Ngujimit. Loja vjen e ndërlikohet, pasi në buzë të dështimit, zgjidhja vjen papritur, pikërisht prej një personazhi karizmatik, i cili pranon të luajë një rol për ekipin e TV së huaj, me kushtin që të mos i shquhej identiteti i tij, pasi…e megjithatë…
Edhe zbulimi i tij, nga autoritetet ligj zbatuese të atij vendi perendimor, që panë emisionin, na është sjellë me mjeshtri nga autori.
Për të mos u zgjatur; romani duket sikur është nxjerrë nga një film që vetëm autori e ka parë dhe na e rrëfen në formën e një romani, në mënyrën se si atij vetë atij i ka ardhur, ai film i pa parë prej askujt!!! Nëse vetëdijshëm autori, nuk e ka shkruar pikërisht me këtë qëllim.
Lexohet me një frymë.
Ylljet Aliçka, metaforikisht është një nënshartesë e sojshme kolonjare, nga një fis i shquar i asaj treve shumë në zë të toskërisë, por që mbi të cilën kemi edhe disa mbishartesa të tjera, kulturore të vogla, si ajo mirditase, pastaj kryeqytetasve, pastaj edhe pariziene, të cilat sëbashku krijojnë një lloj fruti të veçantë, sikurse është edhe romani “Gjëra që ngjasin”.
