Një klasik i pavdekshëm vjen në shqip me mjeshtëri: “Frymë të vdekura” nga Nikollai Gogol!

Screenshot
Shtëpia botuese “Mediaprint” sjell për lexuesin shqiptar një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore: romanin “Frymë të vdekura” të Nikollai Vasiljeviç Gogolit, përkthyer mjeshtërisht në gjuhën shqipe nga Prof. Jorgji Doksani.
Kjo vepër, që shënon një moment kulmor të letërsisë ruse, përmes ironisë dhe sarkazmës godet me forcë burokracinë, korrupsionin dhe moralin e kalbur të shoqërisë së shekullit XIX. Gogoli ndërton romanin mbi një koncept absurd, blerjen e “frymëve të vdekura”, pra të emrave të fshatarëve të vdekur që ende figurojnë në regjistrat zyrtarë, për të nxjerrë në pah absurditetin e sistemit social dhe administrativ.
Në shqip, romani vjen i përkthyer me mjeshtëri nga Prof. Jorgji Doksani, një nga përkthyesit më të shquar të letërsisë ruse. Ai ka sjellë për lexuesin shqiptar autorë të mëdhenj si Tolstoi, Dostojevski, Gogol dhe Boris Pasternak. Fitues i Çmimit “Pushkin”, Medaljes së Artë “Lermontov” dhe titullit të lartë “Mjeshtër i Madh”, Doksani ka pasuruar gjuhën shqipe me përkthime që mbartin thellësinë, filozofinë dhe shpirtin e origjinalit.
“Frymë të vdekura” mbetet një roman që flet ende sot: një pasqyrë e shoqërive që funksionojnë mbi mashtrimin dhe interesin, ku morali zëvendësohet nga hipokrizia. Një klasik që ia vlen të rilexohet, tashmë në një përkthim të ri dhe të shkëlqyer në shqip.
