Pse shoqëria jonë ka më shumë nevojë për gra si shkrimtarja Virginia Woolf?

Pse shoqëria jonë ka më shumë nevojë për gra si shkrimtarja Virginia Woolf?

Gratë duhet të kenë “një dhomë më vete” – jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht!

Screenshot

Nga Elda Vela

Shoqëria e ditëve të sotme që cilësohet moderne, megjithëse teknologjikisht e përparuar, vuan nga të njëjtat probleme që shkrimtarja Woolf denoncoi një shekull më parë: mungesë e theksuar empatie, shtypje e zërit dhe emocioneve të gruas, stigmatizim i shëndetit mendor dhe presion për të jetuar sipas roleve të gatshme dhe të përcaktuara më parë.

Virginia nuk ishte thjesht një shkrimtare e madhe; ajo ishte një zë që guxoi të mendonte ndryshe. Ajo kërkonte që gratë të kishin “një dhomë më vete” – jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht: hapësirë për të menduar, krijuar dhe ekzistuar jashtë pritshmërive shoqërore. Sot kemi nevojë për gra si Virginia Woolf, sepse ato sfidojnë normat që kufizojnë lirinë individuale dhe flasin hapur për ankthin, depresionin dhe dhimbjen e brendshme, tema ende tabu, fatkeqësisht, nga frika se dikush të kujton të marrë; sjellin ndjeshmëri dhe thellësi në një botë sipërfaqësore dhe materialiste; tregojnë se forca nuk është vetëm zë i lartë, por edhe mendim dhe reflektim i thellë.

Virginia Woolf na mëson se revolucioni mund të ndodhë edhe në heshtje, përmes fjalës, mendimit dhe vetëdijes. Në një shoqëri ku gratë shpesh vlerësohen për rolet e jashtme dhe jo për botën e tyre të brendshme, figura si Woolf janë thelbësore për barazi reale. Prandaj, shoqëria jonë ka nevojë për më shumë gra si Virginia Woolf: gra që guxojnë të mendojnë, të ndiejnë dhe të flasin – jo vetëm për veten, por për të gjithë ata që nuk kanë zë.

Vepra e saj e sjellë nga shtëpia botuese “Mediaprint”, me përkthimin e Taulant Hatisë “Mrs Dalloway”, nuk është vetëm një roman për një ditë në Londrën e mjegullt; është një pasqyrë e shpirtit njerëzor. Virginia Woolf na kujton se pas çdo buzëqeshjeje mund të fshihet një kalvar i gjatë dhe se shoqëria matet jo nga rregulli, por nga aftësia për të kuptuar dhe pranuar dallimin e brendshëm.

Romani “Mrs Dalloway” i Virginia Woolf është ndërtuar mbi idenë se jeta e brendshme e njeriut është po aq e rëndësishme sa ngjarjet e jashtme, madje shpesh shumë më vendimtare. Që në fjalinë e parë të romanit, Woolf e vendos lexuesin brenda mendjes së personazhit kryesor. “Zonja Dalloway tha se do t’i blinte vetë lulet”, kjo fjali e thjeshtë në dukje hap rrugën drejt një bote të ndërlikuar mendimesh. Veprimi i zakonshëm – blerja e luleve – bëhet simbol i pavarësisë së vogël personale, por edhe i rolit shoqëror që Klarisa ka pranuar: organizatorja e jetës së të tjerëve, jo domosdoshmërisht e vetes.

Klarisa shpesh reflekton mbi zgjedhjet e saj jetësore, sidomos mbi martesën dhe mbi jetën që mund të kishte pasur. Ajo ndien një ndarje mes vetes së jashtme dhe botës së saj të brendshme: “Ajo kishte ndjesinë më të çuditshme se ishte vetë e padukshme; e papërdorur; e panjohur.

Ky citim shpreh padukshmërinë e gruas në shoqërinë patriarkale që ekziston edhe sot. Edhe pse Klarisa është e rrethuar nga njerëz dhe pjesë e elitës shoqërore, ajo ndihet e padukshme si individ, sa të kujton novelën e Cvajgut dhe citimin të mbetesh e vetme mes njerëzish…sa e dhimbshme. Woolf tregon se rolet shoqërore – grua, bashkëshorte, zonjë shtëpie – e mbulojnë identitetin e vërtetë.

Woolf sugjeron se jeta e rregullt dhe e pranueshme shoqërisht, mund të fshehë të njëjtin ankth ekzistencial që çon një tjetër drejt shkatërrimit.

Ajo kritikon mënyrën se si vuajtja mendore minimizohet kur duhet bërtitur, relativizohet dhe trajtohet si problem disipline, jo si dhimbje reale njerëzore. Kjo qasje sipas saj çon në aktin final, vetëvrasja nuk është dëshirë për vdekje, por refuzim i një bote që nuk e pranon ndjeshmërinë. Për Woolf-in, ky është një akt i dhimbshëm, por edhe rebelues.

“Mrs Dalloway” është një roman që flet për heshtjet e shoqërisë, për gratë që jetojnë brenda roleve të ngushta dhe për individët që vuajnë pa u dëgjuar. Përmes stilit modernist dhe rrjedhës së ndërgjegjes, Virginia Woolf na fton të kuptojmë se jeta nuk matet me ngjarje, por me ndjenja.

Ky roman mbetet aktual sepse pyetjet që shtron – mbi identitetin, lirinë, shëndetin mendor dhe rolin e gruas – janë ende pyetje të shoqërisë sonë.

Post a Comment

Rr. "Brigada VIII", Kati II Kutia postare 7467 Tiranë +355694044443 botime@mediaprint.al

    '