STUDIM/ Dëshironi të jetoni më gjatë? Lexoni një libër!

Një studim i ri nga Universiteti Yale zbuloi se leximi i librave lidhet me rritjen e jetëgjatësisë – njerëzit që lexojnë libra jetojnë rreth dy vjet më gjatë se ata që nuk lexojnë.
Studiuesit zbuluan se personat që lexonin më shumë se 3,5 orë në javë kishin 23% më pak gjasa të vdisnin brenda 12 viteve, ndërsa ata që lexonin deri në 3,5 orë në javë kishin 17% më pak gjasa të vdisnin gjatë së njëjtës periudhë.
Gjithashtu, u vu re se lexuesit e librave shfaqnin aftësi më të forta njohëse dhe kishin tendencë të ishin më të shëndetshëm, më të arsimuar dhe me kushte më të mira ekonomike, faktorë që mund të kontribuojnë në një jetë më të gjatë.
Një studim tjetër me 4164 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar, që përfshinte si lexues ashtu edhe jo-lexues, tregoi se të rriturit që lexojnë vetëm 20 minuta në javë kanë 20% më shumë gjasa të ndihen të kënaqur me jetën e tyre.
Në të kundërt, ata që nuk lexonin kishin 28% më shumë gjasa të raportonin ndjenja depresioni krahasuar me ata që lexonin rregullisht për kënaqësi. Një në pesë lexues tha se leximi i ndihmon të ndihen më pak të vetmuar.
