Autori Xhahid Bushati për SEKRETI I FSHEHUR NË LIBRA

Autori Xhahid Bushati për SEKRETI I FSHEHUR NË LIBRA

Nga Xhahid Bushati

– Shënime për 9 rrëfenja të shkurtra + 1 poezi –

Autore: Rovena Rroshani, Ilustruar nga:

Melisa Koyun, Sh. B. Mediaprint, Tiranë 2025.

Mendoj se libri “Sekreti i fshehur në libra” i autores së talentuar Rovena Rroshani, nga mënyra e konceptimit dhe strukturimit jo vetëm që i takon një tipologjie të veçantë dhe interesante; por është një rikthim në vlerat e leximit, në botën e librave si “sekret” – një motiv ky, që fëmijët duke u përballur me ekranin, celularin dhe internetin…etj.) kanë nevojë e domosdoshmëri për t’u kthyer te libri, te universi dhe rëndësia e tij, ku realja, ëndrra dhe imagjinata bashkëjetojnë ngushtësisht me fëmijët, si në një familje.

Rrëfenjat rrëfejnë ngjarje të përdishme ose të njohura nga fëmijët, por të paraqitura me nuanca poetike e surprizuese. Personazhet, të përfaqësueshme për fëmijët – fëmijë, kafshë, libra, natyrë; situata të paraqitura plot emocione, që fëmijët i përjetojnë gjatë leximit, sjellin edhe kuriozitete, pakëz frikë, gëzime e siç e thashë më lartë edhe surpriza.

Dialogu është i thjeshtë por i pasur në ndjesi, gjuha plot ngjyra, përdoren fjalë që fëmijët i kuptojnë, por me një ritëm që i nxit të mendojnë. Mjedise të pastra figurative – ilustrimet (zakonisht) bashkohen me rrëfenjat duke ndihmuar imagjinatën e fëmijës. Mesazhe të integruara brenda fabulave të rrëfenjave, të cilat në thurjen e tyre kanë ngjyra dhe janë delikate e njëkohësisht poetike. Pra, shohim kujdesin për librin, për natyrën, për miqësinë… etj. E këto janë të shprehura përmes një sintakse të saktë të shqipes, ku, në disa autorë që lëvrojnë këtë moshë letërsie mungon në një masë të konsiderueshme, dhe kjo është për të ardhur keq.

Është interesant koncepti dhe shtjellimi i rrëfenjave; finalja (apo përmbyllja) lë hapësirë për reflektim, shpesh jo të gjitha pyetjet zgjidhen plotësisht; i mbetet fëmijës që një ide ta marrë me vete, për ta menduar dhe diskutuar…

  “Sekreti i fshehur në libra”, brenda faqeve të tij e fsheh përherë një “sekret”, duke motivin e librit si vend i çudive, dhe i dijes. Përmes kësaj ideje qendrore, autorja sjell elemente të reja në letërsinë shqipe: diversitet në formë (rrëfenja + poezi), qasje aktive ndaj lexuesit, motivin e librave si “sekret”, si dhe të një stili të rizbuluar për fëmijët që jetojnë në një epokë digjitale. E për të gjitha këto, rrëfenjat e autores karakterizohen nga ndërthurja e realitetit të fëmijërisë me fantazinë, përdorimin e personazheve të njohur nga fëmijët, dhe gjuhën artistike që nxit fantazinë dhe mendimin…

Rrëfenjat janë të një natyre të shkurtër, ku autorja njeh botën dhe psikikën e fëmijës, duke vënë theksin dhe në rëndësinë e leximit. Ndërsa poezia si pjesë e librit, pjesa me “1 poezi”, tregon se nuk janë vetëm rrëfenjat në elementet e prozës, por ka edhe një dimension poetik që nxit lexuesin-fëmijë të afrohet me vargun poetik. Këtë prirje bashkëkohore autorja e ka përqafuar më së miri dhe ecën në një hap me të.

Libri “Sekreti i fshehur në libra” të autores Rovena Rrozhani përfaqëson një prurje të freskët dhe të munguar në këtë zhanër që lëvron; sigurisht, edhe një botim i vlefshëm, i kujdeshëm dhe i sukseshëm i Shtëpisë Botuese “Mediaprint.

Shkodër, më 26.10.2025