Shkrim nga përkthyesi Zamir Poda mbi librin “E vërteta mbi procesin Andreoti”!
Nga Zamir Poda
Të dashur miq! Po ju prezantoj librin më të fundit të përkthyer dhe pajisur me shpjegime.
“E vërteta mbi procesin Andreoti”, shkruar nga prokurorët Xhankarlo Kazeli (Giancarlo Caselli) e Guido Lo Forte dhe botuar në Itali nga “Editori GLF Laterza”. Është një libër (historik-dokument) mjaft interesant, mjaft aktual, që përshkohet nga raportet Politika-Mafia-Drejtësia, sjellë për lexuesin shqiptar nga Shtëpia Botuese “Mediaprint”.
Libri bën fjalë rreth procesit hetimor dhe gjyqësor kundër Xhulio Andreotit i akuzuar për mafie. Nuk bëhet fjalë për një të pandehur “dosido”, por as më shumë dhe as më pak, ndër themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të Partisë Demokristiane italiane, partia më jetëgjatë në pushtet, i konsideruar si politikani më i shquar dhe me më shumë funksione në qeveritë italiane të pas Luftës së dytë Botërore. 7 herë kryeministër dhe 34 herë ministër, deputet në të gjitha legjislaturat dhe në fund senator i përjetshëm.
E kam ndjekur hap pas hapi, nëpërmjet mediave italiane, procesin hetimor e gjyqësor ndaj Xhulio Andreotit, duke filluar nga data 27 mars 1993, kur Prokuroria e Palermos kërkoi lejen për nisjen e procedimit penal ndaj tij dhe, diçka kam botuar në vitin 1995 në disa numra të të përditshmes “Koha Jonë”.
Kështu që, nuk e kisha të vështirë për ta përkthyer (nuk e mbaj veten për përkthyes).
Nga ana tjetër, një moment interesant e kurioz, është se autorët e librit janë Xhankarlo Kazeli dhe Guido Lo Forte, pikërisht dy prokurorët që hetuan procesin. I pari, ka qenë hetues në Torino, ku për një periudhë të gjatë ka kryer hetime mbi organizimet terroriste “Brigadat e Kuqe” dhe “Linja e parë”. Nga viti 1986 deri në vitin 1990, ishte anëtar i zgjedhur në Këshillin e Lartë të Magjistraturës. Pas masakrave të vitit 1992, në Kapaçi dhe në rrugën “D’Amelio”, ku u vranë Falkone e Borselino, kërkoi dhe u emërua në Palermo, ku drejtoi prokurorinë për pothuajse shtatë vite, deri në vitin 1999, duke arritur rezultate të shkëlqyera në luftën kundër mafies. I dyti, për më shumë se tridhjetë vite, prokuror në Palermo. Ndër më të shquarit në hetimet kundër Koza Nostras siciliane.
Përse akuzohej Xhulio Andreoti?
Më 27 mars 1993, Prokuroria e Palermos e drejtuar nga autori i këtij libri, Xhankarlo Kazeli, nisur nga deklarimet e disa të penduarve të Koza Nostras, mafies siciliane (që të kryqëzuara, konfirmonin njëra tjetrën), sipas të cilave, Andreoti kishte favorizuar në vazhdimësi organizatën, kërkoi leje në Senatin italian për të nisur procedimin penal ndaj tij. Leje, e cila u dha. U hetua nga prokuroria e Palermos dhe çështja u dërgua për gjykim. U shpall i pafajshëm në shkallën e parë nga Gjykata e Palermos, me vendimin datë 23 tetor 1999. Gjykata e Apelit të Palermos, me vendimin datë 2 maj 2003, e deklaroi të kryer, deri në pranverën e vitit 1980, krimin për të cilin akuzohej i pandehuri, por të parashkruar, ndërsa pas këtij viti, e konsideroi akuzën të paprovuar, duke dhënë përfundimisht pafajësi. Vendimi i Gjykatës së Apelit u la ne fuqi nga Gjykata e Kasacionit me vendimin datë 15 tetor 2004.