5 libra që nuk mund t’i humbisni këtë verë!

5 libra që nuk mund t’i humbisni këtë verë!


Verë, diell dhe pushime – koha ideale për t’u zhytur në botën magjike të librave. Çdo libër është një udhëtim, një botë e re që na fton të përjetojmë emocione, të reflektojmë dhe të frymëzohemi. Në këtë artikull, Shtëpia Botuese “Mediaprint” ju sjell 5 libra të veçantë që nuk janë thjesht histori, por mbartin rrëfime që lënë gjurmë, personazhe që mbeten dhe mesazhe që do t’ju shoqërojnë gjatë. Zbuloni këto libra që do ta bëjnë verën tuaj më të paharrueshme.

1. “Lulet e mollës” nga autori John Galsworthy

Një vepër e mbushur me ndjenja delikate dhe reflektime të thella për jetën, dashurinë dhe mëkatin. Në këtë libër, Galsworthy shpalos mjeshtërinë e tij për të pikturuar skena të pasura me natyrën dhe psikologjinë njerëzore, duke përdorur një stil të thjeshtë, por të fuqishëm. Personazhet në këtë libër janë një metaforë e gjallë për ciklin e jetës, ku çdo përvojë e ndjeshme është një lule që hapet e pastaj vyshket. “Lulet e mollës” është një meditim për jetën në tërësi dhe mëkatin në veçanti, që godet në çaste të paparashikueshme.

2. “Van Gogu dhe Siena” nga autorja Silvia Kwon

Një rrëfim i fuqishëm për marrëdhënien komplekse mes Vincent Van Gogut dhe Sienës, një grua e cila, për të mbijetuar, punonte si prostitutë. Në mes të sfidave të shumta, ata krijojnë një lidhje të fortë dhe të trazuar, ku arti dhe dashuria përplasen me paragjykimet shoqërore dhe vështirësitë e jetës. Ky libër sjell në dritë një anë të panjohur të artistit dhe një histori të ndjeshme dashurie që sfidon çdo barrierë.

3. “Në emër të gjakut” nga autori Ahmet Prençi

Një dëshmi e fuqishme për vitin 1997 dhe plagët që mbart shoqëria shqiptare. Rrëfime që të bëjnë të ndjesh dhimbjen, humbjen dhe shpresën për një të ardhme më të mirë. Ky vëllim nuk është thjesht një grumbull rrëfimesh. Është dëshmi. Është ulërimë e shuar në letër. Është përpjekje për të mbajtur mend, kur gjithçka rreth nesh na mëson e dikton të harrojmë. Lexojeni këtë libër për të mos e harruar kurrë dhimbjen. Lexojeni që ta mbani mend. Sepse harresa është fillimi i përsëritjes.

4. “Diamanti” nga autori Alfred Peza.
Përmes një qasjeje të realizmit magjik, autori na sjell një histori befasuese, e cila ka fuqinë që ta shndërrojë këtë libër në një platformë motivimi për këdo që është në kërkim të një ndryshimi rrënjësor në jetën e tij. Në këtë botë ku gjithkush vrapon drejt realizimit të ëndrrës, ajo më e guximshmja prej tyre lidhet me përjetësinë. Pakkush është i gatshëm ta paguajë çmimin për të kaluar nëpër shtegun e pamëshirshëm të presionit, që e shndërron jetën e tyre në diamant. Duke e kërkuar atë deri në fund të botës, ky roman do t’ju befasojë kur t’ju tregojë se sa pranë e keni Diamantin tuaj.

5. “Kandidati për Kandidat” nga autori Arben Çejku

Kjo është një novelë që i tejkalon kufijtë e satirës klasike dhe hyn në territorin e një tragji-komedie politike, ku e qeshura zëvendësohet me një buzëqeshje të trishtuar, dhe ironia përthith dhimbjen e heshtur të të gjithë atyre që janë “kandidatë për të qenë”, por kurrë nuk bëhen pjesë e lojës. Një vepër brilante, që i flet jo vetëm Shqipërisë së sotme politike, por edhe gjithë shoqërisë, e cila duhet të bazohet te vota e lirë dhe konkurrenca e ndershme.