
Si të menaxhojmë ankthin? Këshilla nga Prof. Fluera Shkëmbi!
Nga Anita Aliaj
Në këto kohë që po jetojmë, duket gati e pamundur që dikush të mund të shpëtojë nga kthetrat e ankthit. Edhe pse është folur dhe diskutuar shumë, ende vihet re se shumë njerëz e kanë të vështirë t’i pranojnë hapur problemet që ankthi sjell. Një nga librat që vjen në ndihmë është “Gjurmët e padukshme të frikës” nga Prof. Fluera Shkëmbi, një libër i vlerësuar jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë, por edhe nga profesionistët. “Gjurmët e padukshme të frikës” është një thirrje për të kuptuar dhe për t’u përballur me ankthin, me anë të një kombinimi teknikash si mindfulness, hipnozë dhe programim neuro-gjuhësor. Në këtë bisedë me “Mediaprint”, Prof. Shkëmbi ndan me ne detaje se si erdhi ky libër, çfarë përmban ai, gabimet që bëjmë me ankthin, ndan historinë frymëzuese të Anës, por edhe histori personale gjatë përballjes me ankthin. Një bisedë e bukur dhe e vlefshme për të gjithë, që nuk duhet humbur.
Prof. Shkëmbi, libri “Gjurmët e padukshme të frikës” është një udhëzues shumë i dobishëm për ata që luftojnë me ankthin. Çfarë ju frymëzoi të shkruani një libër për këtë temë dhe si i keni përzgjedhur metodat që përmendni në të?
Libri erdhi si rrjedhojë e përvojës sime profesionale dhe atij që unë e konsideroj misionin tim në jetë. Duke dëshmuar nga afër prej kaq shumë vitesh se sa të komplikuara mund të jenë çështjet e shëndetit mendor, vendosa të bëj një libër që të jetë lehtësisht i aksesueshëm nga kushdo që ka nevojë. Kuptoj që njerëzit shpesh ndihen të ngecur, ndihen vetëm dhe ndonjëherë nuk dinë se ku të drejtohen. Ndaj e solla librin në formën e një udhërrëfyesi. Aty gjen shumë përgjigje mbi ankthin, frikën apo panikun, por njëkohësisht gjen edhe shumë zgjidhje. Sa i përket metodave, janë përzgjedhur që të jenë sa më praktike dhe lehtësisht të zbatueshme nga lexuesit.
Në përmbajtjen e librit, ju përdorni teknika si mindfulness, hipnozë dhe programim neuro-gjuhësor. Si mendoni se këto qasje mund të ndikojnë tek individët që ndiejnë ankth dhe stres në jetën e përditshme?
Pikërisht kombinimi i këtyre qasjeve e bën të veçantë dhe efektiv këtë libër. Nëpërmjet hipnozës dhe programimit neuro-gjuhësor, komunikimi me lexuesin bëhet në nivel të vetëdijshëm por edhe të pavetëdijshëm. Mindfulness nga ana tjetër qëndron në bazë të pjesës më të madhe të teknikave të menaxhimit të ankthit. Ndaj Mindfulness dhe Hipnozën, vendosa që t’i sjell edhe nëpërmjet audiove, të cilat njerëzit i skanojnë dhe i dëgjojnë në telefonin e tyre kur do që të kenë nevojë. Mua më pëlqen ta quaj paketë të plotë librin, sepse realisht përmban gjithçka lexuesit i nevojitet.
Përveç përdorimit të teknikave, ky libër ofron edhe histori reale nga terapia. A mund të na tregoni një histori që ju ka prekur thellë dhe që ka ndihmuar në formimin e këtij manuali?
Një rast që unë e kam shkruar edhe në libër, është historia e Anës. Edhe pse e re, Ana kishte kaluar shumë sfida. Përmend këtu largimin e të vëllait, sëmundjen e nënës dhe së fundmi një marrëdhënie në çift shumë toksike. Të gjitha këto kishin lënë gjurmë tek Ana dhe si rrjedhojë ishte izoluar nga të gjithë. Nuk komunikonte me askënd, as me familjarët. Ajo që dua të theksoj është që truri punon në mënyra mahnitëse. Në përballje me situata të vështira apo stres afatgjatë, truri krijon mekanizma mbrojtës dhe mekanizma përballimi. Tek Ana këto mekanizma ishin përkthyer në një dëshirë të madhe për të ndihmuar. E shpjeguar thjeshtë, vajza dikur e vogël që kishte nevojë për ndihmë u rrit në një vajzë luftëtare që do advokonte për të ndihmuar të tjerët. Nevojën dhe plagën e saj ajo e përmbushi duke bërë atë që të tjerët nuk e kishin bërë për të. Dhe më pëlqen ta ndaj rastin e saj, sepse demostron shumë qartë ndikimin dhe rëndësinë që ka mjedisi familjar. Ajo ishte një vajzë e rritur mirë, me shumë dashuri. Normalisht asnjë familje nuk është perfekte, ama ajo ishte përqafuar, ishte suportuar, ishte dëgjuar. Nëse dikush tjetër do të kishte të njëjtin historik me të, mekanizmat që krijon truri nuk janë gjithmonë po aq dashamirës.
Çfarë e bën këtë libër ndryshe nga librat e tjerë për ankthin?
“Gjurmët e padukshme të frikës” përmban një kombinim që synon të përmbushë drejtpërdrejtë nevojat e lexuesit. Që nga mënyra se si është shkruar, fjalët e përzgjedhura me kujdes që të jenë të përthithshme për lexuesin, më tej te përfshirja e pyetësorëve që lexuesi të mund të masë dhe të testojë përvojën e vet të ankthit apo frikës; Pastaj janë rrëfimet reale të pacientëve nga kolltuku i terapisë që demostrojnë me shembuj se si është të kesh ankth dhe sfidat që vijnë me të; Rrëfimet vijnë në formën e disa rasteve të plota, por edhe copëza të shkëputura që i kam shpërndarë në çdo kapitull. Për më tepër, libri ofron një pikëpamje më pak armiqësore ndaj ankthit. Na fton që ta kuptojmë dhe të komunikojmë me përvojën tonë.
Dhe si përfundim, normalisht, unë e kisha shumë të rëndësishme që për një eksperiencë të plotë të kuptimit dhe menaxhimit të ankthit, të përfshija audio që i kam regjistruar vetë. Janë audio relaksimi të Mindfulness dhe audio të Hipnozës që janë risi dhe plotësisht unike, në shqip. Mos të harrojmë që e pavetëdijshmja flet gjuhën e nënës.
Cilat janë disa gabime të zakonshme që bëjnë njerëzit kur përpiqen të menaxhojnë ankthin dhe si mund t’i shmangin ato?
Do të veçoja dy gjëra që njerëzit i bëjnë në përpjekje për të menaxhuar ankthin, por në fakt e përkeqësojnë. E para është që mundohen shumë ta shmangin. Ndodh që shmangin situatat që i shkaktojnë ankth, ose shmangin plotësisht edhe mendimet ankthioze. Në fakt, e vërteta është që shmangia është pjesë e ciklit të ankthit dhe kur personi rikthehet në atë situatë, ose mendimi vjen sërish ndërmend, ankthi bëhet edhe më intensiv.
E dyta është që tentojnë të gjejnë zgjidhje afatshkurta, të cilat janë thuajse gjithmonë të pashëndetshme. E kam fjalën për konsumimin e duhanit, alkoolit, ushqimit të tepërt apo edhe qëndrimi me orë të zgjatura përpara ekranit. Të gjitha këto janë tentativa për t’u shkëputur nga emocionet e vështira apo ankthi, por ajo që ndodh është situata vetëm sa thellohet dhe përkeqësohet.
Ka mënyra të tjera, të thjeshta dhe praktike, që funksionojnë akoma më mirë. Unë gjithmonë këshilloj që çdokush të formojë një paketë të vetën, me mjete dhe teknika, që ata e dinë që funksionojnë për to dhe mund t’i përdoret lehtësisht kur u nevojiten.
Prof. Shkëmbi, për shumë nga ata që po luftojnë me ankthin, ndarja e eksperiencave personale mund të jetë një burim force. A mund të ndani me ne një moment të vështirë ose një përvojë personale që ju ka ndihmuar të rriteni?
Gjatë studimeve për Hipnoterapi në Londër, kam patur një nga momentet më të forta të ankthit që kam përjetuar ndonjëherë. Ishte periudha e Krishtlindjeve dhe ndërsa të gjithë të tjerët ishin kthyer pranë familjeve të tyre, unë isha vetëm atje, mes librave dhe laptopit, duke u munduar të shkruaja detyrën e fundit para certifikimit. Por nuk mundesha. Kalova ditë dhe net të tëra në të njëjtën gjendje— plotësisht e bllokuar, nuk shkruaja dot asnjë fjalë.
Kur u rikthyem pas pushimeve dhe afati po afrohej, shkova të konsultohem me një nga profesorët atje. Profesori më sugjeroi ta bëj një seancë hipnoze. Nuk hezitova. E bëra seancën me mentorin tim. Pagova 200£, por ajo që mora në këmbim ishte shumë më e vlefshme. Gjatë seancës, ai më ndihmoi të zbuloja diçka që nuk e kisha kuptuar: nuk ishte frika nga dështimi ajo që më frenonte, por në të vërtetë ishte frika nga suksesi. Kuptova se në të njëjtën mënyrë që ndonjëherë i trembemi humbjes, po ashtu është normale t’i trembemi edhe fitoreve. Sepse çdo fitore vjen me ndryshime të mëdha dhe përgjegjësi të mëtejshme. Ajo ishte detyra e fundit përpara certifikimit tim si hipnoterapiste—dhe pas çlirimit në atë seancë, fjalët rrodhën vetë dhe e përfundova punimin në kohë.
Si është pritur ky libër nga lexuesit dhe ata që janë të përfshirë në trajtimin e ankthit? Mund të ndani me ne ndonjë koment që ju ka mbetur në memorie dhe që e konsideroni si një dëshmi të rëndësishme të ndikimit të tij?
Libri është pritur shumë mirë. Kam marrë shumë komente pozitive nga lexuesit dhe nga kolegë të mi profesionistë. Njerëzit kanë marrë pikërisht atë që unë kam dashur të përcjell; një manual praktik që shërben në çdo kohë.
Një lexuese më tha që askush nuk ia kishte shpjeguar ndonjëherë ankthin aq thjeshtë dhe aq bukur. Dikush më tha që e ka lexuar të gjithin pa e shkëputur nga dora dhe tani i rikthehet herë pas here faqeve dhe teknikave të caktuara. Gëzoj shumë kur më thonë që audiot i kanë tranformuar rutinën e gjumit dhe tani bëjnë një gjumë shumë më të mirë. Audiot e hipnozës nga ana tjetër janë pëlqyer dhe vlerësuar shumë. Jam shumë e kënaqur dhe thellësisht mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që e kanë lexuar dhe vlerësuar librin.