Rrëfimi prekës i autores Carrie Hooper: Verbëria nuk më ka penguar të jetoj një jetë plot ngjyra!
Një bashkëpunim i veçantë
Nga Carrie Hooper
Jam nga Elmira, Nju-Jork të SHBA-së. Jam krejtësisht e verbër nga lindja, por verbëria nuk më ka penguar të jetoj një jetë të plotë me veprimtari të larmishme. Jap mësime për piano dhe kanto, jap gjuhë të huaja, këndoj në një kor, jap koncerte vokale dhe shkruaj poezi.
Interesi im për gjuhë të huaja lulëzoi në moshën 20-vjeçare kur ndoqa një kurs të gjermanishtes në universitet. Në shkollën e mesme kisha ndjekur kurse të frëngjishtes, por në atë kohë nuk kisha shumë dëshirë për të mësuar gjuhë. Mirëpo në ditën e parë të kursit të gjermanishtes, e dija jo vetëm që desha ta mësoja por edhe ta jepja. Ndërkohë kam mësuar edhe pesë gjuhë të tjera: suedisht, italisht, spanjisht, shqip dhe rumanisht. Kam mësuar edhe pak latinisht, rusisht dhe finlandisht, por nuk i di mirë ato gjuhë.
Fillova të mësoja shqip kur kisha një student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes, të cilin e dhashë në një universitet të vogël në qytetin tim të lindjes në vitin 2008. Njohja me të ma ndezi kureshtjen të dija më shumë për gjuhën shqipe, prandaj gjeta të vetmin libër në brail për të mësuar shqip te një bibliotekë për të verbrit në Angli. Në fillim më ndihmoi studenti im dhe pastaj kalova dy vera me radhë duke ndjekur kurse të gjuhës shqipe tek universiteti shtetëror i Arizonës. Për ta ushtruar gjuhën, dëgjoja emisione radiofonike të cilat m’i incizoi shoku im i ndjerë, Timi, edhe ai i verbër dhe profesor i gjuhëve të huaja. Më tej lexoja gazeta shqiptare si dhe vepra nga shkrimtarë dhe poetë, si Migjeni, Naim Frashëri, Fan Noli, Ismail Kadare, etj. me kompjuterin tim braili. Një prift ortodoks shqiptaro-amerikan më lidhi me shumë shqiptarë me të cilët flisja shqip në telefon, dhe u lidha gjithashtu me bashkësi shqiptare në Kanada. Mora pjesë në shumë koncerte të organizuara nga bashkësi shqiptare në SHBA dhe Kanada. Më tej dhashë intervistë për “Zërin e Amerikës”, për “Radio e diela” në Toronto të Kanadasë, për një emision televiziv në Nju-Jork, për “E diela shqiptare” në Tiranë dhe për një emision radiofonik në Kosovë, veç kësaj kam përkthyer libra dhe artikuj nga shqipja në anglisht.
U njoha me Skifter Këlliçin, shkrimtar shqiptar me banim në Massechusetts, SHBA, nëpërmjet telefonit në tetor të vitit 2018, kur mora pjesë në një promovim të vëllimit tim poetik shqip-anglisht, “Piktura në fjalë”, organizuar nga kryetari i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, Adnan Mehmeti, në Nju-Jork. Atëherë qëndrova te shkrimtarja Sabije Veseli dhe familja e saj në Fountain Lakes, Nju-Jersey. Zonja Veseli, e cila e njihte zotin Këlliçi, na lidhi kur e mori në telefon. Pas një bisede të këndshme, shkëmbyem të dhënat tona kontakti. Pastaj flisnim shpesh në telefon dhe shkruheshim me e-mail, natyrisht në gjuhën hyjnore shqipe.
Pasi u njohëm më mirë, Zoti Këlliçi më sugjeroi të bashkëpunonim në një roman me temë shqiptaro-amerikane, “Një grua midis dy burrave”, të cilin e kishte në dorëshkrim. Ma dërgoi, e lexova me shumë kënaqësi dhe pranova të bashkëpunoja me të. Faktikisht Zoti Këlliçi shkruante shumicën e romanit, por bëra ndryshime të vogla. Pastaj e përktheva në anglisht me titullin “A Woman Between Two Men”. E botuam variantin anglisht në vitin 2020 te Lulu, një ent i vetëbotimit në internet. Në 2024 varianti shqip u botua nga Shtëpia botuese shqiptare “Mediaprint”.
Romani “Një grua midis dy burrave”, i cili zhvillohet në shtetin e Kalifornisë, tregon historinë e infermieres Meri Davenport, e fejuar me shkencëtarin Çarli Smith, e cila dashurohet me Kreshnik Gërmenin, biri i një shqiptari të arratisur nga Shqipëria komuniste kur Krishniku është i vogël. Fatkeqësisht vritet babai i Kreshnikut nga banditë, duke shpëtuar jetën e një polici. Para se të vdesë, Ralph Kallagani, komandant i policëve, i premton se do ta dërgojë vogëlushin në jetimore, por nuk e mban fjalën kështu që Kreshniku birësohet nga Xhejms Klemensi, shoku i babait të tij, i cili është pijanec dhe kumarxhi. Kreshniku bëhet trafikant i drogave për të shlyer një borxh të Xhejmsit. Sa më shumë e njeh Kreshnikun, sa më shumë zbulon Meri një njeri me dhunti poetike që e do edhe muzikën klasike dhe e nxit ta lërë pas jetën e filliqtë të trafikimit të drogave. Plot intriga dhe të papritura, “Një grua midis dy burrave” trajton anën e ndërlikuar të dashurisë. E falënderoj Zotin Këlliçi për mundësinë që më dha të shkruaja një roman me të që rezultoi në bashkëpunimin e parë shqiptaro-amerikan në historinë e letërsisë shqiptare.