Rob Biddulph, autor i trilogjisë “Kikirika Xhons”, ndan të pathënat dhe emocionet e kësaj vepre!

Rob Biddulph, autor i trilogjisë “Kikirika Xhons”, ndan të pathënat dhe emocionet e kësaj vepre!


Është bukur të lexosh ato ç’ka për të thënë një shkrimtar pasi ka nxjerr në dritë veprën e tij. Ndaj intervista me shkrimtarin Rob Biddulph, autori i trilogjisë Kikirika Xhons, nuk duhet humbur.

Frymëzimin për personazhin kryesor, si baba i dy vajzave, autori e ka marrë prej tyre. Ndërkohë që nga një ndodhi me të voglën e tij, ka lindur ideja për krijimin e një trilogjie të tillë. Një trilogji me ilustrime, për të cilën autori gjatë kësaj interviste shpreh dëshirën pse jo, një ditë ta shohi të shndërruar në një film.

Si ndiheni tani që romani juaj i ri, “Kikirika Xhons dhe Qyteti i Ilustruar”, sapo ka dalë?

Shumë i emocionuar, pasi më duket sikur po filloj gjithçka nga e para. Unë kam bërë libra me figura për një kohë të gjatë, por ky është krejtësisht, krejtësisht i ri. Unë mendoj se kur shkruan një libër me kapituj, duhet të mendohesh mirë. Megjithatë, unë jam jashtëzakonisht krenar për të; nuk mendoj se kam qenë ndonjëherë më krenar për diçka që kam krijuar. Shpresoj vetëm që njerëzve t’u pëlqejë!

A ishte shkrimi i një libri me kapituj, diçka që keni dashur gjithmonë ta provoni?

Në fakt e mbarova së shkruari rreth dy vjet e gjysmë më parë. Kisha idenë që më gumëzhinte në kokë për një kohë, dhe thjesht mendova: “Po, më mirë tani se kurrë, pse mos ta provoj!”. Mu deshën rreth tre muaj për ta shkruar. Nuk kam menduar kurrë, se do të ulesha për të shkruar një libër si ky. Unë punoj me plan dhe librin e kam realizuar copë pas cope, si mozaik. Çdo kapitull e kisha shumë të qartë në mendje.

A keni ilustruar gjatë kohës që shkruanit?

Jo, e përfundova të gjithin përpara se të bëja ilustrimet. E kisha një ide se si do të dukeshin personazhet. Thjesht bëja shënime të vogla ndërsa shkruaja, si: “Ilustro Kikirikën në këtë moment të ngjarjes, ilustro një stuhi boje këtu”. I bëra të gjitha këto shënime dhe më pas, kur erdhi puna për t’i ilustruar, thashë me vete: “Pse i bëra gjithë këto shënime?”. Mendoj se ka afro 200 ilustrime atje, gjë që është e mrekullueshme tani që e shikoj librin, jam vërtet i kënaqur që e realizova. Ilustrimet i bëra në fund të vitit të kaluar dhe ishte një punë e lodhshme, por ia vlejti.

Nga e morët frymëzimin për personazhin kryesor, Kikirikën, dhe a bazohet ajo në ndonjë nga vajzat tuaja?

Ajo është një lloj gërshetimi mes dy vajzave të mia, Kitit dhe Popit. Ideja më erdhi nga diçka që bëra për vajzën time më të vogël. Kur filloi shkollën, asaj nuk i pëlqente të qëndronte atje gjatë gjithë ditës dhe kështu dikush më sugjeroi, t’i bëja një vizatim të vogël në një letër ngjitëse dhe t’ia fshihja në çantën e ushqimit që i jepnim me vete, si për ta përshëndetur në kohën e drekës. E bëra për dy ditët e para dhe më pas si pa e kuptuar, vazhdova ta bëja çdo ditë, dhe përfundova duke bërë mbi 2 000 të tilla. Nga këtu lindi edhe ngjarja, sepse unë një ditë thashë me vete: “A nuk do të ishte gjë e bukur, nëse çdo gjë që i vizatoja në letrat ngjitëse do të bëhej e vërtetë?”. Filluam të bisedonim për vizatimet, thashë se do të ishte mirë, që gjithçka të fillonte me një derë që të çonte në këtë botë të ilustruar. Që aty filloi e gjitha.  Kur shkruaja për Kikirikën, atë e kisha shumë të qartë në mendje. Kur shkruan dialogët, është mirë të kesh në mendje një person real dhe kjo më ndihmoi vërtet, kur shkruaja dialogët e tregimit.

Çfarë vizatimi do t’i jepnit jetë?

Kur jeni duke shkruar, mendoj se ka dy fjalë që janë më të rëndësishmet dhe ato janë “çfarë” dhe “nëse”. Ju jeni duke thënë vazhdimisht,  “çfarë, nëse; çfarë, nëse; çfarë, nëse”, dhe, për mua, gjëja më e mirë që mund të vizatoja ishte dera. Unë gjithmonë e mendoj librin si një derë: ju e hapni atë dhe ajo ju çon në një botë tjetër, qoftë kjo një shkollë për ku mësohet magjia apo moçalishte xhungle. Çdo libër është një derë, prandaj mendova se gjëja më e mirë që mund të vizatoja me lapsin magjik, është një derë që të çon në një botë magjike.

Ky libër është i pari në një trilogji, kështu që a e dini tashmë se si përfundon ngjarja?

Unë e di se si përfundon ngjarja. Unë kam bërë skica mjaft të detajuara të të tre librave. Secili përfundon në një çast kulmor, dhe në fund të librit të tretë gjithçka bëhet e qartë. Ngjarja merr kthesa të papritura, që shpresoj lexuesit të mos i marrin me mend. Ata me siguri do të habiten shumë kur të arrijnë në fund të këtij libri, sepse ai mbyllet me një çast mjaft kulmor, ku ngjarja merr një zgjidhje, por përmes një epilogu të shkurtër ju çon në librin e dytë.

Ju keni krijuar një botë të re kaq të pabesueshme. A do të dëshironit ta shihnit librin të shndërruar në film?

Sigurisht që do të doja ta shihja këtë të ndodhte. Do të doja ta shihja librin, të vihej në jetë në atë mënyrë. Kur i përfytyroj tregimet e mia, i përfytyroj në një mënyrë shumë kinematografike, dhe shpesh kur bën një libër të ilustruar, është pothuajse sikur të bësh një film. Kur shkruan një libër të ilustruar, i përfytyron personazhet, si personazhe filmi. Unë jam skenaristi. Unë jam regjisori. Unë jam piktori i filmit. Ky libër mendoj se i përshtatet shumë mirë një eksperience kinematografike.

*Përkthyer nga përkthyesi i librit Petro Plasa