/  Shtëpia Botuese   /  Mediaprint-Shtëpia juaj e dijes

Mediaprint-Shtëpia juaj e dijes

Rrugëtimi ynë nisi në vitin 2006 me librin shkollor dhe didaktik dhe më pas vazhdoi edhe letërsinë për fëmijë.

Kompania “Mediaprint Sh.p.k” e ka nisur fillimisht aktivitetin me botimin e librave shkollorë, linja e botimeve të teksteve shkollore të biologjisë dhe gjuhës angleze për arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, për të vazhduar më tej me linja të tjera të teksteve shkollore: abetarja, gjuha shqipe, matematika, fizika, kimia, edukata shoqërore, libra të shkencave sociale, si sociologjia apo psikologjia etj.
Shtëpia Botuese Mediaprint është bërë pjesë e ndryshimeve që kanë pësuar politikat arsimore të edukimit që nga viti 2006 dhe në vijim në procesin e botimit të teksteve shkollore. Synimi për të realizuar tekste sa më cilësore, jo vetëm në përmbajtje por edhe në formë, e ka rritur kompaninë tonë duke e çuar drejt zbatimit të standardeve bashkëkohore. Partneriteti mes shtëpisë botuese dhe autorëve ka bërë që më tepër se 50 autorë tekstesh dhe rreth 130 bashkëpunëtorë të realizojnë botimin e dhjetëra teksteve shkollore dhe fletoreve të punës në ndihmë të nxënësve. Me ndryshimin e kurrikulës së arsimit parauniversitar, Mediaprint ka partneritet me Shtëpitë Botuese Oxford, Cambridge dhe Pearson në përkthimin e teksteve shkollore të matematikës, biologjisë, fizikës dhe kimisë.

Mediaprint ka krijuar dhe vijon të zhvillojë një projekt mjaft domethënës dhe bashkëkohor që e kemi pagëzuar me emrin Mediaprint online. Librat e Mediaprint tashmë gjenden jo vetëm në format të printuar, por edhe të digjitalizuar. Krijimi i platformës digjitale http://mediaprint.al/libridigjital është fillimi i një rruge të gjatë në këtë drejtim.
Zhvillimi i teknologjisë na ka krijuar mundësi për t’iu ofruar nxënësve dhe mësuesve mësime interaktive, komunikim digjital, trajnim në distancë etj., të cilat janë pjesë e vizionit tonë për të ardhmen e afërt.

Që nga viti 2011, Shtëpia Botuese Mediaprint ka krijuar redaksinë e librit për fëmijë me botime për fëmijët e moshës 3 deri në 14 vjeç. Rrugëtimi nisi me kolanën e edukimit financiar për moshat nga 6-18 vjeç, si dhe libra artistikë për fëmijë në partneritet me shtëpi botuese prestigjioze të huaja.
Botimi i serisë së famshme “Nikolasi i vogël” u pasua nga shumë botime të tjera duke krijuar një eksperiencë të bukur dhe të suksesshme në botimin e letërsisë klasike dhe bashkëkohore.
Redaksia e librit për fëmijë po zhvillon me prioritet letërsinë shqipe për fëmijë. Autorja e njohur Adelina Mamaqi, Rovena Rrozhani, Matilda Vangjeli, Stela Gega-McConaghy, Laureta Lilaj apo edhe krijues të rinj si Rejvi Dervishi kanë krijuar për lexuesit libra të bukur, të cilët janë vlerësuar me çmime kombëtare.
Po kështu një vëmendje të rëndësishme i është kushtuar ilustrimeve të librit për fëmijë si një proces i rëndësishëm. Artur Dauti dhe Ledia Kostandini kanë ilustruar botimet tona duke iu përshtatur moshës dhe interesave të fëmijëve.

Mediaprint ka sjellë në shqip disa libra universitarë të fushës së ekonomisë nga autorë të famshëm, si Mishkin, Ehrhardt, Modigliani, Fabozzi etj. Përzgjedhja e tyre është bërë nga një bord profesorësh të ekonomisë, të cilët kanë vlerësuar se janë botime me vlerë në fushën e financave dhe themelorë për studentët. Mediaprint ka bashkëpunuar me profesorë të njohur në përkthimin e këtyre botimeve, të cilët vijnë në gjuhën shqipe me cilësi të shkëlqyer përkthimi dhe saktësi shkencore.